Meta: Vora me potenciale të jashtëzakonshme, ka falimentuar, 5 kryetarë në një mandat!!!

Ilir Meta, kryetari i PL, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me të rinj që punojnë në Call Center, duke u bërë të ditur atyre se çfarë rëndësie të madhe ka përfaqësimi i moshave të reja në këshillat bashkiake pas zgjedhjeve të 14 Majit, se çfarë rëndësie ka një pushtet lokal që i mbështet dhe i përkrah të rinjtë që ata të qendrojnë në vendin e tyre.  

 “Nuk ka vend, qytet, bashki, më ideale se Vora për biznesin në tërësi, për investimin e huaj në veçanti, - mori shembull Meta, -  për të qenë një qendër e tërheqjes së investimeve të mëtejshme dhe ne e dimë, se pavarësisht se është një bashki me potenciale të jashtëzakonshme, është një bashki e falimentuar, që ka ndërruar 5 kryetarë në një mandat!!!

Skandale pas skandalesh, sepse prioriteti nuk ka qenë për të tërhequr investime, për ta kthyer në një qendër të start up-eve. Jemi shumë prapa Kosovës në këtë drejtim.

Në këtë drejtim, do të bëjmë gjithçka dhe nuk po e bëjmë këtë takim se janë zgjedhjet lokale. Partia e Lirisë dhe ish-LSI e ka treguar mbështetjen për të rinjtë gjatë gjithë historisë, i ka promovuar për deputetë, për këshillat bashkiakë; ja dhe Kristiani që është udhëheqësi i listës së PL për Fierin dhe shumë të tjerë udhëheqin kudo në Tiranë, Durrës, Korçë, nuk është një promovim i thjeshtë i këtyre individëve për karrierë. Qëllimi ynë është që t’i japim zë problemeve tuaja sepse bashkitë kanë një mundësi të jashtëzakonshme për të mbështetur bizneset që afrojnë mundësi për të rinjtë.

Bashkia e Tiranës ka 350 milionë euro në vit, 1.4 miliardë euro në një mandat, një potencial i jashtëzakonshëm për të ndërtuar qendra të rëndësishme promovimi për të rinjtë, sepse mendoj se kjo duhet të jetë një fushë shumë prioritare për ne që ata të marrin paga të mira dhe të mos ikin jashtë, por kjo kërkon investime shumë të mëdha në arsim, teknologji dhe nuk mund të bëhet pa përfshirjen e shtetit. Jam i sigurt që do të bëjmë gjëra të mrekullueshme.”