Ankimimi i Ahmetajt për kontrollin e banesës së partneres/ Caktohet gjyqtari do shqyrtojë çështjen në Apel

Rreth dy javë nga ankimi i ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, që kundërshtoi kontrollin e banesave të ish-bashkëshortes dhe bashkëjetueses aktuale të tij, në Apelin e Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është vendosur trupa gjykuese me gjyqtar Dhimitër Larën.

Ndërkohë, mbetet ende pa datë dhe orar rreth seancës për shqyrtimin e kërkesës.

Arben Ahmetaj pretendon përmes ankimit të bërë më 15 mars, se kontrolli i banesave është bërë mënyrë të paligjshme duke i konsideruar si veprime antikushtetuese ato të bëra nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kjo me pretendimin, mes të tjerave se i janë shkelur të drejtat bashkëjetueses sëë tij, duke mos e vënë në dijeni, sekuestruar celulari, shoqëruar dhe pyetur pa praninë e avokatit.

Nga ana tjetër, SPAK konfirmon, se po e heton deputetin socialist për 4 vepra penale, shpërdorim detyre, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe korrupsion.

Ndërkohë, pavarësisht aludimeve të deritanishme, duke qenë se veprimi i fundit që mbetet është kërkesa për ndonjë masë shtrënguese, nga ana e Prokurorisë së Posaçme, nuk ka asnjë konfirmim për dërgimin e ndonjë kërkese Kuvendit të Shqipërisë mbi mandatin e tij.