Llalla sulmon Tahirin: Po fshehin drogën, asgjësimi bëhet pa praninë e prokurorisë

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka ngritur shqetësimin për fenomenin e sasive të mëdha të kultivimit të kanabisit në vendin tonë.

Gjatë një konference për shtyp së bashku me ministrin e Drejtësisë Petrit Vasili, Llalla sulmoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri duke thënë se ka një nivel të ulët të zbulueshmërisë së kultivuesve të drogës, nga ana e përgjegjësve të kontrollit të territorit.

“Ka sasi të mëdha kultivimi lëndësh narkotikike. Ky është problem tepër shqetësues. Ajo që është shqetësuese është që strukturat ligjzbatuese që kanë detyrë të kontrollojnë territorin, mbetet tepër i ulët zbulimi i kultivuesve”, tha kryeprokurori.

Llalla tha se një problematikë tjetër e rëndësishme është asgjësimi i lëndës narkotike që bëhet nga forcat e policisë. Kjo provë materiale, tha Llalla, në shumë raste bëhet pa praninë e prokurorit në kundërshtim me ligjin.

Në këto raste, kryeprokurori paralajmëroi se do të ketë arrestime të oficerëve të policisë që në mënyrë të paligjshme asgjësojnë provat materiale pa praninë e prokurorit përgjegjës.

“Problematikë tjertër është administrimi i provave materiale. Lënda narkotike duhet të asgjësohet në prani të prokurorit. Kur ka dyshime që prova materiale agjësohen në mënyrë të paligjshme, të fillojë hetimet ligjore dhe të vendosë para drejtësisë autorët”, tha Llalla.

Kryeprokurori paralajmëroi gjithashtu edhe vartësit e tij, që nuk do të ketë tolerime ndaj atyre që shkelin ligjin./SYRI.net/