Rama në Top Channel: Mund të akuzonit Arben Ahmetajn për sulmin me armë, por nuk e bëtë
Një shfaqje më shumë se e shëmtuar u konsumua mbrëmë në emisionin kryesor politik në Top Channel, disa orë pasi ky televizion ishte sulmuar me armë, ku mbeti i vrarë edhe roja e godinës.
Kur të gjithë mediat raportonin për lajmin dhe shprehnin solidaritetin e tyre për këtë media, vetë drejtuesit e Top Channel zgjodhën që deri në mesditë të postonin një njoftim të shkurtër policor edhe pse ishin sulmuar me armë dhe një person kishte humbur jetën.
Por absurdi arriti kulmin në mbrëmje, kur drejtuesja e programit ‘Top Story’ e nisi duke e falenderuar kryeministrin Edi Rama se kishte gjetur kohën duke u shkëputur nga shikimi i ndeshjes Poloni-Shqipëri.
Madje edhe pas debatit të ashpër me gazetaren Klodiana Lala në studio, Rama vendosi të largohej me arrogancë për të vazhduar shikimin e ndeshjes.
Për ato minuta që qëndroi në studio duke gënjyer dhe intimiduar sërish gazetarët, prezantuesja Grida Duma e vlerësoi duke thënë se ka një qartësi që e karakterizon vetëm atë.
Ndërkohë që gazetarja e News24 ishte në studio, duke e vënë përballë fakteve përvëluese dhe duke e akuzuar se ka frymëzuar krimin e organizuar që të veprojë kundër medias njësoj si ai me armë dhe tritol, regjia e Top Channel ia fiku mikrofonin.
Rama mbeti i vetëm dhe gati nuk e shprehu hapur habinë se përse Top Channel nuk po akuzon Arben Ahmetajn dhe opozitën për sulmin.
“Ju përgëzoj që nuk po bëni akuza konkrete për sulmin, pasi dihet që javët e fundit ju keni bërë investigime të rëndësishme”, tha Rama, duke aluduar për sulmet që Top Channel ka bërë ndaj Arben Ahmetajt dhe ndaj Monika Kryemadhit, ku sipas tyre, ajo mund të ketë marre para ruse.
Por Rama për asnjë rast nuk e ceku faktin që Top Channel ka mbajtur të fshehte faktin që kjo kompani i ka shitur aksionet në një kompani offshore në një parajsë fiskale, ku nuk dihet kush është blerësi apo nëse shitja është fiktive, apo më keq akoma nëse ka edhe aksionerë të padeklaruar qe i ka zënë në befasi ky lajm.
Rama nuk tha asgjë se përse ajo media që e kishte akuzuar hapur dhe publikisht si gjobëvënëse dhe shantazhuese, qenka kthyer në raportuese objektive. Sikundër nuk tha asgjë për klimën e terrorit që qeveria dhe krimi kanë mbjellë në vend.
Edhe për faktin që organizatat më të mëdha ndërkombëtarë të lirisë së medias e kanë katandisur vendin në renditje njësoj si diktatura e planetit.
Madje u krenua se liria e medias është më e mirë se kurrë dhe pasi mori buzëqeshjen e drejtueses nga pas si shenjë konfirmimi, u largua për të bërë një gjë më të rëndësishme.
Të shihte një ndeshje.