Sulmi ndaj TCH, Shkullaku: Ndodhi pas sulmit me tritol të shtetit ndaj një mediaje tjetër

Për analistin Armand Shkullaku, sulmi ndaj Top Channel është një akt terrorist.

Duke folur në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Shkullaku u shpreh se, kjo ngjarje erdhi pas sulmit me tritol të shtetit, ndaj një mediaje tjetër, apo aseteve që e mbështesin atë.

Është një akt i rëndë që na prek të gjithëve, por ketë e shikoj në një kontekst të lirisë së shtypit në Shqipëri. Nuk është rastësi që Shqipëria është e fundit në Europë porsa i përket lirisë së medias. Nuk është rastësi që në çdo raport, si ai i fundit i Departamentit të Shtetit, apo qoftë ato raport progresi i BE, problemi kryesor mbetet liria e shtypit.

Nuk është rastësi që edhe kryeministri në ato vizitat që bën, nga Londra në Berlin, një nga pyetjet kryesore është liria e shtypit. Kjo  nuk bëhet sa për të kaluar radhën, por ka pasur sinjale të forta që kjo liri nuk ka qenë në Shqipëri.

Përsa i përket sulmit ndaj TCH, për mua është një akt terrorist, që këtë radhë e kanë kryer disa banditë me kallashnikov. Është një akt terrorist që pason një tjetër akt terrorist, shtetëror. Pra nëse botuesit të një mediaje, qeveria i vendos tritol në një ditë pushimi, pa pyetur, ligjin, gjykata, pa pritur një vendim që të sqarojë ligjshmërinë e veprimit të saj, qeveria të vendos tritol.

Pra kur një media qenka kaq e cenueshme kaq kollaj, atëherë pse jo edhe bandidët mund të veprojnë njëlloj. Unë e kam thënë edhe këtu, që vendosja e tritolit ka qenë një akt terrorist, me prapavijë të qartë politike, se kush guxon të dalë nga rreshti e pret ky fakt.

Unë e shikoj të ngjashme me situatën në Siçili, në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, ku e vetmja gjë që rregullonte marrëdhniet mes biznesit, politikës, medias dhe mafias, ka qenë gjuha e dhunës, nuk ka qenë ligji. Edhe këtu ndodh e njëjta gjë.

Mediat dhe gazetarët sulmohen në një vend ku ligjin e bën mafia’, tha gjatë fjalës së tij, në SYRI TV analisti Armand Shkullaku.