Thuajse gjysma e mjaltit në tregjet evropiane është falso, sipas hetimeve të BE
Gati gjysma e mjaltit të importuar në Bashkimin Evropian dyshohet se është fals, sipas një hetimi të BE-së.
Hulumtimi, i udhëhequr nga Zyra Kundër Mashtrimit e Komisionit Evropian (OLAF) dhe Qendra e Përbashkët Kërkimore (JRC), zbuloi mashtrimin masiv dhe se shumë mund të blejnë mjaltë të falsifikuar të etiketuar si autentik, njofton Euronews.
Sipas hetimeve të Komisionit Evropian, janë testuar 320 mostra dhe 147 (46%) e mostrave të mbledhura të importit të mjaltit dyshohet se janë të falsifikuara me shurupe dhe për rrjedhojë në mospërputhje me kërkesat e Direktivës së BE-së për mjaltin.
Dyshohet se mjalti është prerë me shurupe sheqeri të bëra nga orizi, gruri ose panxhari i sheqerit.
Shumica e mjaltit të rremë sillet nga Turqia (93%) dhe Kina (74%).
Të 10 llojet e mjaltit futura përmes Mbretërisë së Bashkuar nuk i kaluan testet dhe u shënuan "jo në përputhje".
Raporti tregon se mjalti i importuar nga Britania e Madhe kishte një shkallë dyshimi prej 100%, me JRC që sugjeron se mjalti mund të jetë prodhuar në vende të tjera përpara se të përpunohej në Mbretërinë e Bashkuar dhe të rieksportohej në BE.
Kurth mjalti
'Nga kosheret' është veprimi i koordinuar i BE-së i udhëhequr nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore (DG SANTE), me autoritetet kombëtare të 18 shteteve që janë pjesë e Rrjetit të Mashtrimit Ushqimor të BE-së, OLAF dhe i Komisionit Evropian Qendra e Përbashkët Kërkimore (JRC).
Vendet pjesëmarrëse ishin: Belgjika, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Lituania, Polonia, Rumania, Spanja dhe Suedia, si dhe Norvegjia dhe Zvicra.
133 biznese (70 importues dhe 63 eksportues) u konstatuan të përfshira në ngarkesat me mjaltë të dyshuar si të falsifikuar. 44 operatorë të tjerë janë hetuar deri më sot, thotë OLAF.
“Mjalti përmban natyrshëm sheqerna dhe, sipas legjislacionit të BE-së, duhet të mbetet i pastër – që do të thotë se nuk mund të ketë përbërës të shtuar në të. Falsimi ndodh kur përbërës të tillë si uji ose shurupe të lira sheqeri shtohen artificialisht për të rritur volumin e mjaltit”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga OLAF.
“Ndërsa rreziku për shëndetin e njeriut konsiderohet i ulët, praktika të tilla mashtrojnë konsumatorët dhe vënë në rrezik prodhuesit e ndershëm pasi përballen me konkurrencë të padrejtë nga operatorët që mund të ulin çmimet falë përbërësve të paligjshëm dhe të lirë.”
Në raport thuhet se vlera mesatare për njësi e BE-së për mjaltin e importuar ishte 2,32 €/kg në vitin 2021, ndërsa për shurupet e sheqerit të prodhuara nga orizi ishin rreth 0,40 – 0,60 €/kg.
Përballë këtij raporti, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se po heton rezultatet, por zyrtarët po i kundërshtojnë pretendimet se importet e mjaltit janë falsifikuar në shkallë industriale.
Zyrtarët qeveritarë thonë se kërkohet teknologji më e avancuar e testimit dhe se zbatimi aktual është "i përshtatshëm për qëllimin". Për Mbretërinë e Bashkuar, ka "prova të pamjaftueshme" deri më sot për të treguar mashtrim.
Një zëdhënës i Departamentit për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale tha: “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e merr shumë seriozisht çdo lloj mashtrimi ushqimor – përfshirë falsifikimin e mjaltit. Nuk ka vend për mjaltë të falsifikuar, që minon besimin e konsumatorëve dhe dëmton bizneset e përgjegjshme.”
"Ne punojmë ngushtë me autoritetet e zbatimit për të siguruar që mjalti i shitur në Mbretërinë e Bashkuar nuk është subjekt i falsifikimit, plotëson standardet tona të larta - dhe ruan një fushë loje të barabartë midis prodhuesve të mjaltit."