Presidenti i Austrisë në Tiranë: Për anëtarësimin në BE, të hiqet dorë nga Pasaportat e Arta
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ka nisur në Shqipëri një vizitë treditore, i pritur me ceremoni shtetërore nga homologu i tij, Presidenti Bajram Begaj. Të dy presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp sot, ku z. Van der Bellen theksoi në fjalën e tij se në kuadrin e anëtarësimit në BE, për Shqipërinë kërkohet të hiqet dorë nga idetë që cenojnë besueshmërinë e reformave, si psh nga ideja e Pasaportave të Arta,
Presidenti shqiptar Begaj tregoi në hapje të konferencës se që të dy theksuan gjatë bashkëbisedimit që kishin pasur se "Shqipëria dhe Austria janë partnerë rajonale të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për shkak të historisë së kahershme, por edhe për shkak të historive të reja që emigracioni shqiptar ka ndërtuar me sukses në Austri.”
Kurse, Presidenti austriak nga ana e tij tha: “Jam shumë i lumtur që ndodhem në Shqipëri sot dhe ju falenderoj për këtë miqësi shumë të madhe shqiptare,për këtë mikpritje. Vizita ime është në kuadrin e një tradite dhe të marrëdhënieje shumë të mira e të ngushta të Austrisë dhe të Shqipërisë, që bazohen sidomos nga pikëpamja historike në shpalljen e pavarësisë.
Diskutuam me Presidentin Begaj se si mund të rrisim akoma më shumë, bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Agjencia Austriake për Zhvillim është prej 30 vitesh, aktive në Shqipëri dhe është sigurisht një mbështetës kryesor sidomos në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe dy ministran e Drejtësisë janë duke nënshkruar një deklaratë mbi vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.
Një bashkëpunim shumë i mirë është dhe në fushën e arsimit; jam shumë i lumtur që shkolla austriake që vizitova dje në Shkodër gëzon jo vetëm në Austri por edhe në Shqipëri një reputacion shumë të mirë; është në fakt një HTL, siç quhet në Austri, me pikë të fortë informatikën dhe shkencat e komunikimit. Nuk është për t’u habitur që kjo është pritur shumë mirë në të gjithë rajonin, jo vetëm në Shqipëri.
Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, tashmë fokusi është tek të ashtuquajturat çështje esenciale, siç janë: shteti i së drejtës, të drejtat themelore, drejtësia e pavarur dhe ne këtë kuadër ne dëshirojmë ta inkurajojmë edhe më tepër, Shqipërinë për të zhvilluar reformat e duhura sidomos edhe në këto sektorë dhe për t’u afruar sa më shumë në çështjen e anëtarësimit.
Kjo në fakt mund të thotë, sipas mendimit tim, që edhe të hiqet dorë nga ndonjë ide që është akoma në diskutim, në qoftë se kjo ide do të çonte në cenimin e besueshmërisë se procesit të reformave, siç është edhe deklaruar në fakt para pak kohësh nga ana e qeverisë shqiptare lidhur me pasaportat e arta. Austria, sidoqoftë, do të jetë një mbështetës i madh i Shqipërisë përsa i përket procesit të anëtarësimit.
Presidenti Begaj dhe unë shkëmbyem mendime edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe pasojat e mundshme në rajonin e Ballkanit.”, tha më tej z. Van Der Bellen.
Sot, në orën 17:00 do të zhvillohet Forumi Ekonomik ku të dy Presidentët do të mbajnë gjithashtu fjalën përkatëse.