Bylykbashi prezanton nismën e PD: Të hiqet parashkrimi për zyrtarët e lartë
Në mbledhjen e radhës në Komisionin për Çështjet Ligjore, nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi prezantoi nismën opozitare kundër parashkrimit, që ka mbrojtur deri më tani zyrtarët e lartë nga akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar.
Bylykbashi kërkoi të ndryshohet parashkrimi për akuzat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kundër funksionarëve të shtetit.
Bylykbashi: Kam sot nderin që të prezantoj në këtë mbledhje të komisionit një propozim për një projektligj, të nënshkruar nga një grup deputetësh të opozitës, kryesuar nga z. Sali Berisha dhe nga 18 deputetë të tjerë.
Ky projektligj ka një qëllim shumë të qartë. Është një instrument i fortë në gjykimin tonë në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni, gjithë çfarë është thënë dhe çfarë përpjekjesh janë bërë ndër vite, është ai që ne dimë sot në këtë moment, është galopant.
Është një korrupsion, i cili është qartazi një korrupsion qeveritar. Nuk është në nivelet e një krropusioni të vogël, por tashmë korrupsioni po mvishet në mënyrë të koncentruar nga kryeministri dhe Këshilli i Ministrave.
Se cili është niveli i korrupsionit në Shqipëri, mjafton të lexoni raportin e DASH. Po ju citoj një nga më të fundit, i cili thotë: Ndërsa prokurorët bëjnë përparime të rëndësishme në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët dhe të mesëm, shkalla e ndjekjes penale për zyrtarët e rangut të lartë mbeti e ulët. Pra, problem kryesor është korrupsioni qeveritar.
Aferat korruptive tashmë po mbulohen për fat të keq edhe me ligje të posaçme që vijnë nga parlamenti, por që iniciohen qartazi nga qeveria.
Pavarësisht se në vitin 2012, me propozimin tonë në atë kohë, u arrit konsensusi për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të hequr imunitetin për zyrtarët e lartë shtetërorë, përsëri korrupsioni ka ardhur gjithmonë e duke u rënduar.
Reforma në drejtësi, e nisur ndër të tjera me qëllimin për të luftuar korrupsionin brenda drejtësisë, por edhe jashtë saj, në mënyrë specifike, ngritja e SPAK, por edhe me Gjykatën e Posaçme, deri më sot ende nuk ka dhënë prova të qarta që justifikon besimin e madh të cilin legjislatori i vuri kur ndryshoi Kushtetutën në vitin 2016.
Në analizë, në raport me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ajo ka qenë efektive sesa është SPAK sot. Një nga problemet kryesore, përveç vullnetit politik është pikërisht kapja e drejtësisë, me qëllim ndër të tjera krimin politik në luftën kundër korrupsionit të lartë qeveritar, dhe nëpërmjet tij vonimit të hetimit dhe ndëshkimit të korrupsionit.
Pasoja imediate e një procesi të vonuar në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit është kalimi i afateve proceduriale për ndjekjen e veprave të korrupsionit. Zvarritja e organeve të drejtësisë për të bërë të mundur kalimin e afateve proceduriale.
Është e papranueshme për opinionin publik, edhe në kuadër të asaj që duhet të ishte barazia e të gjithë shtetasve para ligjit, që zyrtarët me imunitet faktik politik ekzekutiv, të jenë të mbrojtur nga kjo mënyrë e funksionimit të gjyqesorit, duke arritur më pas të çlirohen nga përgjegjësitë e tyre penale me procedurë, pra pa u hetuar dhe pa u shpallur të fajshëm, apo të pafajshëm, por thjesht sepse ka kaluar afati i ndjekjes penale për veprat e korrupsionit.
Pikërisht, që kjo të mos jetë më pengesë për drejtësinë, dhe as justifikim, propozimi ynë është i qartë.
Ne propozojmë një ndryshim në Kodin Penal të Shqipërisë, ligji nr 27.01.95, i ndryshuar, duke ndryshuar nenin 67, duke shtuar një dispozitë, pra një fjali, ku ne sugjerojmë: Nuk i nënshtrohen parashkrimit, veprat dhe akuzat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar kundër kryeministrit, zv.kryeministrit, ministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit bashkisë Tiranë, drejtuesve të institucioneve qendrore përgjegjëse për prokurime publike dhe koncensionet, si edhe ish-funksionarët e sipërpërmendur.
Kjo dispozitë i shtrin efektet e saj deri më datë 31 dhjetor 2037. Në mënyrë të qartë propozimi ynë targeton pikërisht ata mbajtës pushteti që kontrollojnë, menaxhojnë dhe shpërdorojnë nëpërmjet korrupsionit paratë dhe të mirat publike të qytetarëve shqiptarë.
Janë pikërisht këta zyrtarë, të cilët me prova në sy të të gjithëve, përtej çdolloj dyshimi, janë të akuzuar nga opinioni publik si ata që janë përgjegjës për nivelin e papranueshëm, skandaloz të korrupsionit që po shkatërron themelet e funksionit të shtetit të së drejtës. Po shkatërron funksionimin e demokracisë. Mos të harrojmë që korrupsioni qeveritar është pjesë kryesore e shtiblerjes së votës dhe korruptimit të procesit zgjedhor.
Nëpërmjet kësaj dispozite, për një periudhë të caktuar kohore deri në vitin 2037, askush, i cili është në funksionin e sipërpërmendur, edhe ata që kanë patur këto funksione, nuk mund të fshihet pas parashkrimit të ndjekjes penale, por do të jenë përgjegjës përpara opinionit publik, dhe përpara drejtësië si kushdo tjetër.
Nuk mundet që parashkrimi të jetë mburoja e një prej kancerave më të fortë që kjo shoqëri po përjeton aktualisht.
Ne gjykojmë që parlamenti nëpërmjet diskutimit, debatit dhe aprovimit të kësaj dispozite është përpara një testi shumë të rëndësishëm, që të tregojë vullnetin për të luftuar korrupsionin, duke hequr çdo lloj mburoje. As imuniteti kushtetues nuk vlen më, por nuk do të vlejnë më as mbrojtjet proceduriale, të paktën për një periudhë të caktuar.