Zëri i Amerikës pyet ministrin Bushati: Pse paguani para për lobim tek Trump kur jeni në qeveri?

Gjatë javëve të fundit, Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshje me një zyrë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë në SHBA, është pyetur nga Zëri i Amerikës përse PS paguan për lobim tek administrata e Donald Trump, kur është në qeveri.

Zëri i Amerikës: Ju zoti ministër keni qenë gjatë administratës së re amerikane dy herë në Uashington. Pra keni kontakte dhe akses të konsiderueshëm, tek administrata amerikane. Megjithatë sikurse parti të tjera ajo Demokratike dhe LSI-ja edhe Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshje për të zhvilluar lobizëm në Shtetet e Bashkuara. Pse është e nevojshme kjo kur ju e keni tashmë këtë akses?

Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që kjo është një praktikë që e ndjekin shumë parti në botë për të patur një përfaqësim më të mirë, për t’i kanalizuar pikëpamjet e tyre në Uashington, kur dihet që Uashigtoni është qendra kryesore e politikëbërjes sot për sot në botë. Përsa i përket raporteve të qeverisë shqiptare me atë amerikane mund të them që partneriteti strategjik ndërmjet nesh do të vijojë të thellohet dhe dua t’ju siguroj që në një të ardhme të afërt ne do të kemi zhvillime në këtë drejtim dhe kontakte në nivele më të larta me administratën e re amerikane.