Ilda Zhulali i drejtohet Veliajt: Parku i Liqenit është po ai, me ca kulla më shumë e ca pemë më pak

Drejtuesja e departamentit për politikën e jashtme në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, ka reaguar në rrjetet e saj sociale mbi deklaratën e Veliajt se ka mbjellur 1 milionë pemë në kryeqytetit gjatë mandateve të tij.

Sipas Zhulalit, nëse përdorim një matematikë të thjeshtë mbjellja e 1 milion pemëve kërkon një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh tokë, ndërkohë që parku i Liqenit Artificial të Tiranës është 156 hektarë.

Reagimi i Ilda Zhulalit: 

“8 vite kaseta më pas, sot i bëmë dasmën pemës së 1 miliontë.

Pak matematikë….

Mbjellja e 1 milion pemëve kërkon një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh tokë. Parku i Liqenit Artificial të Tiranës është 156 hektarë.

Pra, sot Tirana duhet të kishte 51 parqe me kurorë të dendur pemësh si ai i Liqenit Artificial të Tiranës.

Vini re, në Parkun e Liqenit ka 31.390 pemë, sipas faqes së Bashkisë Tiranë.

Pas 8 vitesh mbjelljeje, në Tiranë janë shpenzuar para për 51 parqe të reja, por pemët vazhdojnë të mbillen po tek Liqeni Artificial.

Parku i Liqenit është po ai, me ca kulla më shumë e ca pemë më pak”.