Kombëtaret shqetësojnë Milanin, dëmtohet mbrojtësi francez dhe Ibra
Nga grumbullimi i Francës Under 21 vjen një lajm që shqetëson shumë Milanin në prag të “muajit të së vërtetës” (siç e përkufizoi presidenti Scaroni) për skuadrën e Stefano Piolit. Tekniku kuqezi rrezikon që të humbasë Pierre Kalulu, që sipas “RMC Sport” do të mungojë në ndeshjen që francezët do të luajnë kundër bashkëmoshatarëve të Spanjës këtë të martë.
Mbrojtësi kuqezi, që qëndroi në pankinë në miqësoren e humbur 4-0 përballë Anglisë, ka më një goditje në pulpë, që do të verifikohet në ditët në vazhdim. Kalulu do të rikthehet sot në Milano dhe nesër pritet që të kryhen disa kontrolle mjekësore për të kuptuar shkallën e dëmtimit.
Ndalet edhe Zlatan Ibrahimovic, që sipas asaj që shkruajnë mediat skandinave, ka munguar në stërvitjen e Suedisë, duke kryer stërvitje të personalizuar për shkak të një problemi fizik.