Ndryshon ora, akrepat shkojnë 60 minuta përpara

Nga sot në vendin tonë është rikthyer ora verore. Në orën 02:00 mes të shtunës së 25 marsit dhe të dielës së datës 26, akrepat e orës lëvizën 60 minuta përpara.

Kjo orë do të vazhdojë deri në të dielën e fundit të tetorit, kur do të kthehet ora dimërore.

Prej vitit 1981 u vendos ndryshimi i orës, që përfshin të gjithë Europën, ku në shumë shtete të saj, akrepat e orës lëvizin 60 minuta përpara.

Norma evropiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ata lëvizin 1 orë pas.

Prej dekadash, vendet e Bashkimit Europian aplikojnë dy orë, atë të dimrit, që nis të dielën e fundit të tetorit dhe orën verore që kthehet të dielën e fundit të marsit. Krahas shteteve që e kanë përkrahur nismën e ndërmarrë për kursimin e energjisë elektrike, ka vende si Turqia e Rusia që kanë një orë vjetore.