Kishte mundësinë e artë t'i dhuronte fitoren Kosovës, flet Rashica: Do të doja të shënoja, por...

Milot Rashica zhvilloi një performancë pozitive ndaj Izraelit, që do të ishte kthyer në fantastike nëse do të kishte realizuar golin e fitores në sekondat e fundit të takimit.

Kosova i filloi eliminatoret e Euro 2024 me një pikë pas barazimit 1-1 në Tel Aviv. Sulmuesi i Galatasaray, i cili ishte protagonist në golin e Kosovës, tha këto fjalë në lidhjen me emisionin “Dardanët” në SuperSport.

“Nëse do të kisha shënuar në fund, do e kisha mbyllur këtë histori në mënyrën më të mundshme. Kisha shumë qejf të shënoja e të ktheheshim me fitore në shtëpi. Meritonim më shumë, por të mendojmë për ndeshjen e radhës.

 

Mund të përmirësohemi. Në pjesën e parë lejuam Izraelin të na rrezikonte me shumë raste. Në pjesën e dytë treguam se meritonim fitoren.

Forma e mirë? Për momentin, unë po kaloj një periudhë të mirë me Galatasaray. Mundohem të jap maksimumin edhe këtu, mund të përmirësohemi shumë”, deklaroi Rashica.