Sulm me thikë dhe granatë dore në Berlin
Policia gjermane ka njoftuar se një 61-vjeçar është arrestuar pas një sulmi me thikë dhe granatë dore në Berlin, ku mbetën të plagosur tre persona.
Policia njoftoi se sulmuesi shpërtheu një bombë në hyrje të një ndërtese banimi në lagjen Reinickendorf të kryeqytetit gjerman të premten në mbrëmje dhe plagosi tre persona, raporton AP.
Në raportin e policisë thuhet se pas shpërthimit, i dyshuari ka vrapuar drejt viktimave dhe i ka sulmuar dhe plagosur me thikë.
Të tre të plagosurit janë dërguar në spital, në gjendje të rëndë për jetën.
Sulmuesi u largua menjëherë pas sulmit, por policia arriti ta lokalizojë atë në një kopsht aty pranë.