Kampionati Botëror i të rinjve në Peshëngritje, kush janë sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë
Do të startojë sot në Durrës, Kampionati Botëror i të rinjve në Peshëngritje 2023. Ky është Botërori i parë në histori që zhvillohet në vendin tonë, ndërsa pritet të sjellë në Shqipëri rreth 350 sportistë nga 57 shtete të botës. Midis tyre pritet të jenë gjithashtu edhe 5 sportistë që do të përfaqësojnë Shqipërinë dhe 3 Kosovën.
Por kush janë këta sportistë? Si për Shqipërinë edhe për Kosovën, shumica e sportistëve do të garojnë në bateritë b, ku përjashtim bën Samoel Rrasa. Gara e Shqiptarëve do të startojë më 26 mars, ku fillimisht në orën 11:30 në baterinë B do të zbresë në pedanë sportisti i Kosovës, Ilir Beka për peshën deri në 55 kg.
Më pas po në të njëjtën ditë në orën 11:30 në baterinë B për meshkuj deri në peshën 61 kg do të garojnë tre sportistë. Nën flamurin e Shqipërisë do të zbresin në pedanë Flavjo Alliaj dhe Antonio Mullisi, ndërsa për Kosovën, Ensar Hasani.
Në datën 27 mars, në orën 10:00 do të jetë radha për Mariglen Kofshën që do të garojë në baterinë B për peshën deri në 67 kg. Ndërsa në orën 16:30, po për peshën deri në 67 kg në baterinë A të cilën keni mundësi ta ndiqni live në Oversport dhe Tibo do të garojë Samoel Rrasa.
Për femra Shqipëria do të përfaqësohet nga Enkileda Carja e cila do të garojë në baterinë B për peshën deri në 59 kg, ndërsa gara do të zhvillohet më 28 mars në orën 12:00.
Gara e shqiptarëve mbyllet më 29 mars me sportistin që përfaqëson Kosovën Eroll Nuredini, në baterinë B për peshën deri në 89 kg. Gara e këtij të fundit do të zhvillohet në orën 09:30.