Misioni fotografik i Putinit në ferr
Nga Peter Lucas, "Boston Herald"
Historia e gjen mënyrën për t’u përsëritur. Sidomos nëse nuk nxjerr mësime prej saj.
Një rast i veçantë është Vladimir Putin i Rusisë, të cilit tani po i përvëlon prapanica pas invazionit pa shkak në Ukrainë.
Ai është si diktatori fashist italian Benito Mussolini, i cili më 1940 mendoi se mund të sulmonte Greqinë, të shkelte me këmbë ushtrinë e vogël greke e ta pushtonte gjithë vendin brenda pak ditëve.
Mussolini donte t’i tregonte aleatit të tij në Luftën II Botërore, Adolph Hitlerit, i cili sapo kishte mposhtur Poloninë e Francën, se edhe ai mund të sulmonte e poshtonte vende.
Mussolini e nisi agresionin e paprovokuar nga Shqipëria e pushtuar, pasi kryeministri i djathtë grek Ioannis Metaksas refuzoi kërkesat e Mussolinit që Greqia t’i jepte pjesë të territorit të saj liderit fashist.
Metaksas tha “oxi” (jo), çka i tha edhe presidenti ukrainas Volodymir Zelensky, në gjuhën e tij, Putinit.
Ashtu si Mussolini që ëndërronte të bënte fotografi në Akropolis në Athinë, Putin besonte se do të ishte në Kiev për fundjavë.
Në fund të fundit, ashtu si dhe Mussolini, Putin kishte një ushtri 3-4 herë më të madhe se ajo ukrainase.
Mussolini sulmoi me 140 mijë trupa, krahasuar me 30 mijë që kishte ushtria greke.
Pas një jave luftime në rajonet e ftohta malore të Shqipërisë e Greqisë, grekët ia dolën të shtynin mbrapsht në Shqipëri agresorët italianë, ku ata kaluan tre muaj në mbrojtje, duke pësuar humbje katastrofike në njerëz.
Grekët atëherë, ashtu si ukrainasit sot, luftuan për atdheun. Ushtarët italianë luftuan sepse ashtu iu tha Mussolini, njësoj siç iu thotë sot Putin ushtarëve rusë.
Dhe ushtria ruse po vuan në të njëjtën mënyrë si ushtria italiane shumë vjet më parë.
Ndërsa bota e konsideronte luftën italo-greke si një shpërqendrim të vogël, në të vërtetë pati pasoja të mëdha për Luftën II Botërore.
Mussolini u ngjit në pushtet para Hitlerit. Kështu që për një kohë Mussolini ishte partneri kryesor në marrëdhënien e tyre, edhe teksa nënshkruanin “Paktin e Çeliktë” më 1939, i cili i lidhte dy vendet politikisht dhe ushtarakisht.
Gjërat ndryshuan shpejt pasi Hitleri sulmoi e pushtoi Poloninë e Francën dhe nisi Luftën II Botërore. I gërryer nga zilia dhe sedra, Mussolinit i duhej një fitore e pastër ushtarake më vete. Ai po ndërtonte Perandorinë e re Romake. Pa dijeninë e Hitlerit, sulmoi Greqinë.
Edhe pse Hitlerit nuk i pëlqeu invazioni fatkeq i Mussolinit, ai u ndje i detyruar t’i shkonte në ndihmë. Hitleri sulmoi Jugosllavinë dhe Greqinë në prill 1940 dhe shpejt i mposhti të dyja. Greqia mbeti e pushtuar nga Gjermania dhe Italia deri në fundin e luftës.
Vendimi i Hitlerit për të nxjerrë nga balta Mussolinin bëri që plani i tij për të sulmuare Bashkimin Sovjetik të shtyhej një muaj. Kur e sulmoi më 22 qershor 1941, edhe ai priste fitore të shpejtë dhe nuk i përgatiti ushtarët për fushatë dimri.
Ndërsa sovjetikët pësuan humbje katastrofike në fillim, rezistenca e tyre u ashpërsua. Kur gjermanët mbërritën në portat e Moskës në dhjetor 1941, dimri kishte ardhur plotësisht. Gjermanët dhe makinat e tyre ngrinë.
Sovjetikët i shtynë mbrapsht gjermanët dhe momenti ndryshoi. Ashtu si grekët, rusët luftuan fort për atdheun. Historiani William Shirer shkruante se vendimi i Hitlerit për të sulmuar Greqinë “ishte ndoshta vendimi më katastrofik në karrierën e Hitlerit”.
Putin i 2023-shit është Mussolini i 1940-ës. Pavarësisht gjithë propagandës ruse për ushtrinë e tij, ai nuk mund ta mposhtë Ukrainën. Dhe ashtu si Mussolini që kërkoi ndihmën e Hitlerit, Putin po i përgjërohet tani liderit të Partisë Komuniste të Kinës, Xi Jinping, për ndihmë ushtarake që ta nxjerrë nga balta.
Si për ironi, ka qenë një kohë, sidomos nën udhëheqjen e Stalinit, kur Rusia ishte lojtari kryesor në marrëdhënien ruso-kineze.
Tani, për shkak të vendimit mussolinian të Putinit për të sulmuar Ukrainën fqinjë, Putin dhe Rusia janë partnerë të vegjël. Është Kina ajo që dikton.
Xi mund të vendosë t’i japë armë Putinit. Por është tepër i zgjuar që të dërgojë trupa.
Ato i duhen për të sulmuar Tajvanin.