Shtyhet seanca për Donald Trump, prokurorët kanë dyshime për padinë

Një juri e madhe në Nju Jork, e cila pritej të dëgjonte prova kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nuk u mblodh të mërkurën ashtu siç ishte parashikuar.

NY Post shkruan se seanca u anulua në mënyrë të papritur nga prokurori Alvin Bragg.

Ky i fundit mund të ngrejë padi ndaj Trump, duke e akuzar se ka paguar 130 mijë dollarë ndaj një pornostari, në mënyrë që ajo të mos flasë për aferën mes tyre. Juria e madhe mund të mblidhet të enjten, por asgjë nuk është konfirmuar deri më tani.

Vetë Trump dhe të tjerë republikanë të rëndësishëm e kanë akuzuar prokurorin Bragg se është vegël në duart e miliarderit George Soros. Ky i fundit ka financuar fushatën për zgjedhjen e Bragg dhe po e përdor atë si armë politike.

Ndërkohë, NY Post raporton se edhe prokurorë të tjerë të zyrës së Manhatanit kanë dyshimet e tyre për një padi të mundshme kundër Trump.

Një burim tha se prokurorët e tjerë kanë nisur të tundin kokën. “Prokurorët nuk janë fansa të Trump, por ata janë juristë profesionistë dhe e njohin ligjin”.

Brenda zyrës së Bragg ka një ‘kryengritje’, pasi disa thonë se dobësia e provave ndaj Trump është një problem i madh për prokurorët.