KAFE SHQETO/ Arben Ahmetaj nën hetim, Cakrani: Nuk kam besim në SPAK

Prokuroria e Posaçme ka zyrtarizuar hetimin për tre vepra penale ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Çështja ndaj tij është regjistruar për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Hapi i radhës që mbetet në kompetencë të SPAK është nëse kjo strukturë do t'i drejtohet Kuvendit me kërkesë për heqjen e mandatit të deputetit apo jo, ish-numrit dy të qeverisë.

Kujtim Cakrani avokat, i ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, u shpreh se besimi në SPAK është i vogël dhe se në këtë aferë do jenë të përfshirë shumë persona të tjerë, të gjithë ata që kanë firmosur.

“271 milionë euro është një shifër shumë e madhe por nuk është se zoti Ahmetaj këto i ka marrë vetë, duhet të kuptojmë që gjithë drejtuesit që kanë firmosur kanë marrë pjesën e tyre dhe janë bërë pjesë e kësaj afere, kështu që nuk është vetëm zoti Ahmetaj. Është SPAK ai që do dali në një përfundim që unë nuk besoj se do arrijë në një përfundim, se sa abuzime ka në këtë aferë, por gjithsesi do ja lëmë në dorë, dhe unë nuk është se kam ndonjë besim të madh.”