KAFE SHQETO/ Mesazhi prekës i kampionit me sindromën Down për politikën shqiptare
Gersi Troka, një nga të rrallët të rinj shqiptarë me sindromën Down që ka thyer të gjitha parashikimet dhe me suksesin e tij si kampion ndërkombëtar i notit është bërë shpresë dhe udhërrëfyes jete për mijëra prindër në vend, ka përcjellë sot një mesazh sa të thjeshtë, aq edhe prekës për dy forcat kryesore politike në Shqipëri.
Gersi ishte i ftuar së bashku me nënën e tij, Meritën, në studion e emisionit KAFE SHQETO në SYRI TV për një intervistë, gjatë të cilës ndër të tjera tha:
“Dua të jap një mesazh: Unë i kërkoj shtetit, institucioneve, të bëjnë sa më shumë për aftësinë e kufizuar dhe ata që janë me sindromën Down. Do të na ndihmonin shumë në aktivitetet që ne bëjmë me fondacionin tonë Sindromë Albania.
Aftësinë e kufizuar duhet ta ndihmojnë patjetër, po dhe nga ana financiare dhe me mësues, sepse unë i kam përballuar vetë kur nuk kanë dhënë mësues ndihmës për mua, se unë ngela në provim.
Për këtë unë kërkoj të bëjnë sa më shumë për aftësinë e kufizuar dhe sa më shumë me ata me sindromën Doën, sepse duke i ndihmuar, mund të ecim përpara, jo të ngelemi prapa.
Për këtë, thirrje i bëj Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që të bëjnë sa më shumë që të ecim përpara,” theksoi ai.