SYRI TV/ Gjykata detyron qeverinë: Ndërtoni ujësjellësin e Visokës!

Gjykata e Apelit e ka detyruar qeverinë të ndërtojë ujësjellësin e Visokës në Mallakastër. Ky vendim  i pazakontë,  cilësohet si fitore për banorët e fshatit, të cilët kanë bërë një betejë shumëvjeçare me Ministrinë e Infrastrukturës dhe organet kompetente për mungesën e ujit.  Për vite me radhë, banorët përdornin ujë të dëmshëm me përmbajtje bakteriale. Shqetësimet e tyre nuk u morën parasysh nga Gjiknuri, Balluku e kryebashkiaku i saj kohe, Agron Kapllanaj

SYRI TV

Gjykata Administrative e Apelit ka marrë një vendim të pazakontë, duke detyruar qeverinë që të ndërtojë ujësjellësin në fshatin Visokë të Mallakastër.

Në këtë mënyrë, banorët e fshatit kanë arritur një fitore shumë domethënëse, pas një beteje shumëvjeçare përballë heshtjes shurdhuese të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kabinetit qeveritar të Edi Ramës.

Fshati Visokë nuk ka pasur asnjëherë ujësjellës dhe banorët përdornin për të pirë ujin e çezmave të fshatit, i cili ishte me përmbajtje të lartë bakteriale dhe i dëmshëm për shëndetin.

Në vitin 2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit merr ankesë nga banorët e Visokës dhe nis komunikimin me autoritetet kompetente për të gjetur zgjidhje për banorët e Visokës.

Kontaktet e para zhvillohen me kryetarin e asaj kohe të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanajn, i cili pritet të garojë sërish në zgjedhjen e majit 2023 si i përzgjedhur i Enkelejd Alibeaj.

Kapllanaj ngriti duart në atë kohë, duke deklaruar se nuk kishte mundësi financiare për të shuar etjen e banorëve të Visokës.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i mbështetur edhe nga Avokati i Popullit, nisi një fushatë komunikimi me Ministrinë e Infrastrukturës, të drejtuar në atë kohë nga Damian Gjiknuri si edhe me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellësve, por sërish asnjë dritë për qytetarët e Visokës.

Disa prej tyre i drejtohen Gjykatës Administrative të Vlorës, ku kërkojnë dëmshpërblim financiar për pasojat e pirjes së ujit të papërdorshëm të zonës dhe detyrimin e qeverisë për të ndërtuar ujësjellësin.

Gjykata e Vlorës, në qershor 2018, iu njeh paditësve të drejtën e dëmshpërblimit.

Ndërkohë për kërkesën tjetër të banorëve, atë të detyrimit të qeverisë për të ndërtuar ujësjellësin, gjykata vlerësoi se banorët nuk legjitimoheshin për të bërë këtë kërkim.

Banorët vijuan betejën për nevojën e tyre jetike në Gjykatën e Apelit Administrativ, ku përballë kishin Ministrinë e Infrastrukturës, kësaj radhe të drejtuar nga Belinda Balluku, Gjykata e Apelit, në një vendim të marrë së fundmi, detyron qeverinë që të ndërmarrë procedurat për ndërtimin e ujësjellësit të Visokës.