'Raporti i DASH nxin Shqipërinë'/ Salianji: Vendosni tritol për t’ju mbyllur gojën mediave! S’kemi shtet

Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është shprehur se qeveria përdor tritol për t’u mbyllur gojën mediave.

Gjatë debatit mbi raportin e DASH për Shqipërinë me deputeten socialiste Elisa Spiropali, ku theksohej mungesa e lirisë së mediave, Salianji tha se në Shqipëri mungesa e lirisë së medias është një problem kyç dhe shtoi se problematikë gjithashtu mbetet edhe korrupsioni dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit.

Salianji: Raporti i djeshëm i DASH e nxinte dhe e sterronte Shqipërinë për shkak të keqqeverisjes. Mangësitë në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, mungesa e mediave të pavarura, korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale ishin shqetësimet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar sipas raportit të DASH. Pra të gjitha degët e qeverisjes, të gjitha pushtet në Shqipëri janë të kalbëzuara të korruptuara deri në palc dhe nuk ka pavarësi të institucioneve. Praktikisht jemi në kushtet ku nuk kemi një shtet normal dhe jemi në autokraci të plotë.

Ne duhet ti japim zë sot raportit të DASH, mendoj se duhet ta kishit lexuar ju dhe ta diskutonim se është shumë i rëndësishëm. Korrupsioni endemik, shkatërrimi i shtetit ka bërë që sot të mos kemi shtet dhe vetëm një autokrat dhe të gjithë të tjerët që i vijnë vërdallë.

Nuk ka institucione të pavarura, nuk ka gjyqësor. Ky është rendi i ditës, ku ka rend dite se kjo del raporti i DASH dhe ju thoni hajdeni merremi me procesverbalet.

Nëse keni diskutim bëjeni dhe dilni dhe thoni që DASH nuk duam ta dëgjojmë por ne na takon ti japim zë kësaj. Siç përdorni komisionin këtu për të mbyllur zërin ashtu vendosni edhe tritol atje thoshte raporti i DASH për ti mbyllur zërin medias. Këtu nuk ka institucione të pavarura.

Jeni të shqetësuar ju që këtu nuk ju vijnë drejtuesit e institucionet. Gjyqësor nuk ka media të pavarura nuk ka dhe komisione dhe parlament doni të hiqni fjalën pse shqetësoheni ju?