Raporti i DASH, Shkullaku: E rëndësishme është përdorimi me emra i rasteve konkrete

Duke diskutuar raportin e Departamentit të Shtetit në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Armand Shkullaku shprehet se, ka diskordanca mes qëndrimeve të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit këtu dhe atyre në Uashington.

Gjatë diskutimit, Shkullaku theksoi se, është i rëndësishëm fakti që në raport flitet me emra dhe raste konkrete.

‘Çdo vit e kemi lexuar raportin dhe na ka bërë përshtypje diskordanca mes qëndrimeve të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit këtu dhe atyre në Uashington.

Kur lexojmë këtë raport dhe të tjerët më parë, ti ke përshtypjen se ke të bësh me një shtet që e meriton vlerësimin si demokraci hibride, që e meriton vendin ku është, përputhet plotësisht ky raport me të gjitha kritikat që kemi pasur dhe kemi për qeverinë. Por kjo është diskordancë të plotë me deklarimet e diplomatëve amerikanë këtu e në Uashington.

Ajo që ka të re ky raport mendoj unë, e shikoj si një paralajmërim për zgjedhjet e 14 majit, edhe pse është i vonë, sepse janë varrosur tashmë.

Zgjedhjet kanë qenë në 2021 dhe raporti i DASH dy vjet pas këtyre zgjedhjeve, çfarë thotë aty. Siguroi avantazhe të rëndësishme, dhe e cilëson të rëndësishme. Çfarë; përdorimin e administratës, kontrollin mbi mediat, presionin ndaj medieve dhe nxjerrjen e të dhënave personale.

Amerika zyrtare është e kujdesshme që me letra të jetë në rregull, por jo në atë që thotë me gojë.

E rëndësishme është cilësimi me emra i dy rasteve konkrete, siç është ajo e presionit ndaj deputetit të PD-së, Agron Shehaj. Pra përdorimi i administratës tatimore dhe policore ndaj një biznesi të caktuar. Dhe e dyta është shembja e ‘Prestige resort’, që për mua është rasti më i rëndë në historinë e 32 viteve, ku shteti me fuqinë e tritolit kërcënon të gjithë që nuk shkojnë pas Edi Ramës.

Kemi një raport që nëse do të ishte bërë në kohën e duhur do të kishte pasë vlerë’, u shpreh Armand Shkullaku në SYRI TV.