SYRI TV/ Kryebashkiakët në SPAK - PS do t'i rikandidojë, Balla: Ligji është i qartë se kur ndalohen
Kryebashkiakët socialistë të rreshtuar në SPAK nuk janë problem për Partinë Socialiste, duke u besuar sërish t’i paraqesin para qytetarëve si alternativë për një tjetër mandat. Kjo u konfirmua nga Taulant Balla, i cili u shpreh para gazetarëve se vetëm kur arrestohen kanë përgjegjësi personale. I nxjerrë si gënjeshtar nga Jozef Borell për sanksionet ndaj Berishës, Balla ndryshoi deklaratën, madje nuk kurseu as këshillat për liderët e BE.
Nga SYRI TV
Për Partinë Socialiste, kryebashkiakët e rreshtuar në SPAK për abuzimet me detyrën apo krime të tjera, nuk përbëjnë problem për t’i besuar sërish e për t’i nxjerrë si alternativë përball qytetarëve. I pyetur konkretisht për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailajn që fshehu dënimin për një krim në Greqi apo për Artur Bushin e Krujës që po përballet me akuzat e SPAK, Taulant Balla u shpreh se ligji nuk i pengon që të rikandidojnë, duke u dhënë besimin e Partisë Socialiste.
Për Partinë Socialiste përballja me drejtësinë nuk përbën problem, por distancimi nis kur mbi ta vihen prangat e në këtë rast, sipas Ballës përgjegjësia është personale.
Balla nuk kishte një përgjigje për kolegun e tij Arben Ahmetaj, banesat e të cilit u bastisën nga SPAK, si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Pasi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell, hodhi poshtë spekulimet e tij për sanksionimin e Berishës nga BE, Balla nisi përdredhjet e deklaratës së tij e madje si shefi i tij, nuk kurseu këshillat për liderët e BE.
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist u shpreh përpara gazetarëve se ditën e shtunë, Partia Socialiste do të zyrtarizojë kandidaturat e majta për 61 bashkitë e vendit.