Koreja e Veriut simulon një sulm bërthamor kundër Koresë së Jugut
Seul, Kore e Jugut - Koreja e Veriut tha të hënën se simuloi një sulm bërthamor kundër Koresë së Jugut me një lëshim rakete balistike gjatë fundjavës që ishte demonstrimi i pestë i raketave këtë muaj për të protestuar ndaj stërvitjeve më të mëdha të përbashkëta ushtarake ndër vite midis SHBA-së dhe Jugut.
Udhëheqësi i Veriut, Kim Jong Un, udhëzoi ushtrinë e tij që të zhvillojë më shumë stërvitje për të mprehur gatishmërinë luftarake të forcave të tij bërthamore përballë “agresionit” nga armiqtë e tij, raportuan mediat shtetërore.
Ushtria e Koresë së Jugut dhe ajo japoneze e zbuluan raketën me rreze të shkurtër që po lëshohej të dielën në ujërat jashtë bregut lindor të Veriut, e cila thuhet se erdhi më pak se një orë përpara se SHBA-ja të ngrinte bombarduesit me rreze të gjatë B-1B për stërvitje me avionët luftarakë të Koresë së Jugut. Veriu i karakterizon stërvitjet SHBA - Kore e Jugut si stërvitje për pushtim, megjithëse aleatët këmbëngulin se ato janë të natyrës mbrojtëse.
Disa ekspertë thonë se Veriu i përdor stërvitjet si pretekst për të avancuar programet e tij të armëve.
Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve të Phenianit tha se raketa, e cila fluturoi rreth 800 kilometra (500 milje), ishte e mbushur me një kokë të rreme bërthamore. Ajo e përshkroi testin si të suksesshëm, duke thënë se pajisja shpërtheu siç ishte menduar 800 metra mbi ujëra në një vend që simulonte një "objektiv kryesor armik" të paspecifikuar, duke riafirmuar besueshmërinë e pajisjeve të kontrollit të shpërthimit bërthamor të armës dhe të detonatorëve të kokave të luftës.