Dyndje e madhe e fermerëve në Korçë për subvencionin e naftës

Radhë të mëdha janë krijuar në Korçë, në Drejtorinë e Bujqësisë, në ditën e parë të aplikimeve për subvencionin e naftës. Dhjetëra fermerë janë mbledhur pranë zyrave të kësaj drejtorie , në pritje për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e naftës, njofton SYRI TV.

Sipas drejtorit Vullnet Gjolla, dita e parë e aplikimeve ka sjellë radhë të gjatë në drejtori, ndërsa ka bërë thirrje që të mos nxitojnë pasi ka afat deri në 20 ditë dhe aplikimet bëhen edhe online në çdo moment, po ashtu dhe në 4 agro-pikat e qarkut.

Sipas fermerëve, radha është krijuar që prej mëngjesit, ndërsa kanë disa orë pritje deri në dorëzim të dokumentacionit. Situata sipas tyre nuk është normale sidomos për moshat e treta.

Dyndja ka ardhur pasi Ministria e Bujqësisë njoftoi  fermerët sot, pak javë para zgjedhjeve se "sot çelen aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Aplikimet mund të kryhen on-line përmes portalit e-Albania apo pranë Agropikave dhe zyrave të ekstensionit bujqësor. Për çdo sqarim apo asistencë, telefononi në numrin e gjelbër: 08008383. Aplikimet do të jenë të hapura deri më datë 11 prill ndaj ju lutem ta shfrytëzoni këtë kohë për të përfituar nga mundësia për ta marrë mbështetjen që ju takon për punën tuaj në bujqësi. Aplikime të mbara!"