‘Padia ndaj Trump synon të heqë vëmendjen nga afera e Hunter Biden’

Republikanët amerikanë thonë se padia e mundshme ndaj ish-presidentit Donald Trump ka për qëllim që të tërheqë vëmendjen nga afera e djalit të presidentit amerikan, Hunter Biden.

Kujtojmë se Hunter Biden është i implikuar në një aferë me kompaninë kineze CEFC, ku të përfshirë janë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe këshilltari i tij, Dorian Duçka. Madje, kinezët e diskredituar të kësaj kompanie, kanë sponsorizuar ekspozitën e Edi Ramës në Hong Kong.

Skandali u thellua kur u mësua se kompania kishte lidhje me shtetin kinez.

Kongresmeni James Comer, që kryeson Komisionin e Mbikëqyrjes në Kongres, dhe që po heton për këtë aferë, tha se lajmet për padinë ndaj Trump dolën direkt pasi ai publikoi të dhëna për aferën e familjes Biden.

“Epo është shumë e çuditshme që lajmi për një padi të mundshme ndaj Trump doli pikërisht një ditë pasi unë zbulova të dhënat bankare, që tregojnë se familja Biden- presidenti në veçanti, nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me pagesat që ka marrë familja direkt nga Partia Komuniste kineze,” tha James Comer për rrjetin Fox.

Të premten, Comer publikoi të dhëna që tregonin se si Hunter Biden dhe dy anëtarë të tjerë të familjes së Biden kanë marrë 3 milionë dollarë nga kompania kineze. Jo vetëm kaq, por këtë herë u mësua se pagesat kanë shkuar edhe për Hallie Biden, e veja e djalit të presidentit amerikan, Beau Biden.

“Pothuajse duket si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen. Por ky është edhe një shembull tjetër i sistemit të drejtësisë me dy nivele,” tha ai.

Vetëm javën e kaluar, Hunter Biden e pranoi se ka marrë pagesa nga kompania kineze CEFC.