Përballja Shullazi-Reçi/ Gjykata mbyll dyert edhe pse dëshmia është publike

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po mbahet këtë të hënë, 20 mars, me dyer të mbyllura, seanca e ballafaqimit mes të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi dhe të pandehurve Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Indrit Rusi, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj (të dy në kërkim) të akuzuar për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames.

Gjykata e Posaçme mbylli dyert për mediat gjatë dhënies së dëshmisë të të penduarit Luftar Reçi në procesin ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerit etj.

Pas më shumë se dy vitesh, kur dëshmia qarkulloi në të gjitha mediat, gjykata vlerësoi se deklarimet e tij përbëjnë sekret hetimor.

Një kërkesë e çuditshme e Prokurorisë së Posaçme, por edhe e gjykatës që e pranoi, në kushtet kur dëshmia e tij që prej operacionit "Asgjë nuk harrohet", është bërë publike.

Ndërkohë që janë regjistruar disa shtyrje seancash të njëpasnjëshme për këtë çështje.

Më herët Luftar Reci kundërshtoi përballjen live me Shullazin dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij. Vetë Reçi përmes një letre nga burgu, i ka kërkuar gjykatës të dëshmonte përmes “Skype”.

Po ashtu ai ka theksuar dërgimi i tij në gjykatë mund të jetë i rrezikshëm, teksa në dëshminë e tij ka thënë: “Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qingjin mes ujqërve”.