Momenti magjik i Hysajt/ Në kombëtare direkt pas fitores së derbit me Romën

Elseid Hysaj ishte në fushë përgjatë gjithë ndeshjes në derbi që Lazio e tij fitoi me shifrat 1-0 ndaj Romës.

Shkodrani i kombëtares edhe pse kishte marrë një goditje në ndeshjen e kaluar të kampionatit, “shtrëngoi dhëmbët” për 90-minuta dhe në fund pas sfidës për “Lazio Style Channel” u shpreh se një ndeshje derbi të bën të harrosh edhe dhimbjet.

Mbrojtësi theksoi se kishte përdorur qetësues ndërsa shtoi se tashmë mendon për Kombëtaren me Shqipërinë që luan më datë 27 mars ndaj Polonisë ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024.

“Rikuperimi në kohë për derbi? Mora një goditje të fortë në ndeshjen e kaluar, por u rikuperova dhe më ndihmoi edhe qetësuesi. Ishte e pamundur për mua që ta humbisja këtë sfidë, duhej të qëndroja me çdo kusht në fushë dhe të ndihmoja skuadrën. Kishte shumë tension në fushë dhe derbi është nga ato sfida që të bën të harrosh dhimbjet.

Të jep karikimin e duhur, të gjithë bëmë maksimumin dhe në fushë ndihmuam njëri-tjetrin. Tifozët janë special dhe nëse fiton, atëherë të bëjnë një fenomen. E kundërta ndodh kur humbet. Por, ata janë një shtysë e madhe për ne. dhamë gjithçka në fushë dhe e merituam fitoren. Do të nisem për në Kombëtare dhe nuk ka kohë për pushime. Megjithatë, do ta shijoj këtë fitore”, u shpreh Hysaj.