Po ndodh në Elbasan, Boçi kërkon hetim urgjent: Po japin ndihma kundrejt zotimit që të votojnë PS-në!
Luçiano Boçi, kandidati i opozitës për bashkinë e Elbasanit, ka publikuar një dëshmi filmike, provë e blerjes së votave nga pushteti, nga kryebashkiaku socialist Gledian Llatja, në shtresat më të varfra të këtij qyteti për zgjedhjet vendore të 14 majit.
"Me dhimbje dhe neveri kam përcjellë atë që po ndodh sot në Elbasan, - shkroi Boçi në Fb. - Bashkia Elbasan ka hartuar lista me njerëz që marrin ndihmë ekonomike dhe i ka paisur ata me letra ndihmash në këmbim të firmës së tyre dhe kundrejt zotimit se me 14 maj do të votojnë për PS-në.
Për të shmangur shpërndarjen e ndihmave në Bashki, lista shumëmërore i është dhënë përfaqësuesve të një komuniteti fetar dhe pamjet flasin vetë! Eshtë rasti që institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë! Faktet janë publike! Pasi i kanë mbajtur peng dhe i kanë zhytur në varfëri për 16 vjet, tani po u blejnë njerëzve edhe dinjitetin," nënvizon Boçi.