Skandali/ SPAK shpalli se e kishte arrestuar, juristi i bashkisë së Bulqizës shkon vetë në gjyq!

Një tjetër dëshmi i shtohet skandaleve të drejtësisë në vend. SYRI TV mëson se ndryshe nga sa njoftoi zyrtarisht Prokuroria e Posaçme, juristi i bashkisë së Bulqizës, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Leonard Daçi, është paraqitur vetë befas në GJKKO rreth dy orë pas nisjes së seancës për caktimin e masës së sigurisë.

Ai erdhi i shoqëruar nga avokati Arben Peçi, ku trokiti në dyert e sallës duke vënë në dijeni gjykatën se ishte një nga të pandehurit e dosjes dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë "arrest me burg".

Kur ishte në banesë, pretendoi ai, dëgjoi emrin e vet që përmendej në media si një nga të arrestuarit, por në fakt ai ndodhej në Tiranë.

Daçi njoftoi avokatin duke i kërkuar mendim, i cili i sugjeroi të paraqitej në gjykatë. Aktualisht Daçi ndodhet brenda sallës së gjyqit, por ai u la të vlerësohet në një moment të dytë pas bërjes së procedurave.