VIDEO/ Policët e Himarës marrin pas shumë muajsh dietat e udhëtimeve, 'Piranjat' zgjidhin problemin

Në muajin nëntor “Piranjat” publikuan denoncimin policëve të komisariatit të Himarës që nuk përfitonin dietat e largësisë së vendbanimit. Ishin rreth 20 policë të këtij komisariati që punonin në Himarë, por jetonin në Vlorë, që ishin përjashtuar nga kjo skemë përfitimi. 

Policëve të komisariatit të Himarës u takonin 15 mijë lekë të rinj në muaj, por çuditërishin ishin fshehur skutave të institucioneve që harrojnë të bëjnë punën e tyre, me dashje, ose padashje. Komisariati i Policisë së Vlorës nuk i dha zgjidhje situatës dhe policët u drejtuan te Piranjat.

“Duam dietat tona, sepse është buka e fëmijëve”, kjo ishte fjalia që na tregonte polici ynë denoncues në nëntor, ndërsa tani pas disa muajsh e gjejmë të qetë dhe të lumtur.

“I kemi marrë dietat. Pasi rasti u publikua te Piranjat, menjëherë situate u zgjidh. I kemi marrë të gjitha paratë tona dhe ju falenderojmë shumë. Na takonin”, shprehet ai.

Drejtuesi i Sindikatës së Policëve të Pavarur, Sadedin Fishta, u angazhua personalisht me rastin. “U vendosëm menjëherë në kontakt me drejtuesit e policisë së Vlorës dhe policët e Himarës. Bëmë dokumentacionin gati dhe ia arritëm qëllimit. Ju falenderoj dhe ju për bashkëpunimin”.

Fishta vendos gishtin dhe te problemet e tjera që kanë policët, prandaj e shfrytëzon hapësirën për t’i vendosur në dukje. “Policët kanë dhe problem të tjera. Ne po luftojmë që të marrim paratë e udhëtimit, ju takon sipas ligjit dhe duhet zbatuar me patjetër. Të gjithë policët që punojnë larg vendbanimit duhet të marrin shtesat e tyre”, thotë Fishta.

Ndërkohë, efektivët e policisë kanë dhe një vërejtje për drejtuesit e sindikatës. “Ata duhet të hedhin sytë më shumë drejt nesh, ne jemi baza, nuk janë drejtuesit”, thotë ai.

Mes shumë problemeve që ka ky institucion, e rëndësishme është që secili të vendosë një tulle në rikthimin e dinjitetit të uniformës blu.