Portugalia publikon listën për ndeshjet e marsit, ftohet edhe Cristiano Ronaldo

Kombëtarja e Portugalisë ka publikuar listën me 26 futbollistët e ftuar për ndeshjet e marsit.

Portugalia e nis këtë muaj ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Më 23 mars, Portugalia pret Lihtenshtejnin, kurse pas tri ditësh luan në transfertë me Luksemburgun.

Këto do të jenë edhe ndeshjet e para zyrtare për trajnerin e ri të kombëtares portugeze, Roberto Martinez.

Ai ka ftuar edhe Cristiano Ronaldon, i cili në Kupën e Botës “Katar 2022” nuk luajti edhe aq shumë, teksa u duk se pati një përplasje me teknikun e atëhershëm, Fernando Santos.

Kujtojmë se Portugalia është në Grupin J. Pjesë e këtij grupi janë edhe Sllovakia, Islanda dhe Bosnjë-Hercegovina.