VIDEO-SYRI TV/ Rilindja arrin kulmin, kryebashkiaku i Bulqizës i jepte tendera gruas

Kryebashkiaku Socialist Lefter Alla e kishte kthyer Bashkinë e Bulqizës në parajsë për tenderat dhe përvetësimet e fondeve. Shumë që kompanitë e përfshira në skemë nga SPAK kanë përfituar rreth 6 milionë euro tendera. Por kulmin e shënojnë procedurat tenderuese ku fitues është shpallur kompania e bashkëshortes së Lefter Allës, e madje shumat e përfituara janë deklaruar edhe në ILDKPI.

Nga SYRI TV

Lefter Alla duket se e kishte kthyer bashkinë e Bulqizës në një institucion për përfitime personale. Veç tenderi të ujësjellësit me vlerë 3 milionë euro, Lefter Alla u ka dhënë dy kompanive ‘EGLAND SHPK’ dhe ‘2 AF ALBANIA’ së paku 6 milionë euro tendera gjatë kohës që ka qenë kryebashkiak i Bulqizës. Nga një kërkim që SYRI TV kreu në regjistrin e transfertave të thesarit, rezulton se dy kompanitë e afërta me kryebashkiakun e Bulqizës kanë përfituar dhjetëra tendera prej vitit 2019 e deri më sot.

Janë në total rreth 6 milionë euro tendera që Lefter Alla u ka dhënë kompanive ‘EGLAND’ dhe ‘2AF ALBANIA’. Por duket se ky nuk është i vetmi skandal. Lefter Alla, përpara se të zgjidhej në krye të bashkisë Bulqizë, ishte zotërues i kompanisë ‘ALB LEAA INTERNATIONAL’, e cila operonte në fushën e ndërtimit.

Në 1 maj të vitit 2019,  kohë kur Lefter Alla ishte shpallur si kandidat për bashkinë Bulqizë, ai dhuron 51 përqind të aksioneve të kompanisë te bashkëshortja e tij Etleva Alla. Po në këtë periudhë, pasi Lefter Alla ishte zgjedhur kryetar i bashkisë, ai merr divident nga kompania në shumë e rreth 170 milionë lekëve.

Kompania ‘ALB LEAA’, do të vijojë të drejtohet nga bashkëshortja e Lefter Allës, Etleva deri në 26 nëntor të vitit 2020. Në këtë periudhë, Etleva Alla, pa pritur dhuron 51 përqind të aksioneve tek ortaku tjetër i shoqërisë, Arben Zhuku. Por, gjatë kohës që Etleva Alla ishte drejtuese e kompanisë, bashkëshorti i saj në detyrën e kryebashkiakut të Bulqizës, duket se ka kryer një tjetër shkelje, duke i dhënë tendera publikë pikërisht kompanisë së bashkëshortes së tij, ‘ALB LEAA’, ndërsa kjo kompani ka vijuar të marrë tendera nga Lefter Alla edhe pasi në mënyrë të çuditshme bashkëshortja e tij ka hequr dorë nga aksionet e kompanisë, ndonëse ajo rezulton një kompani fitimprurëse.

Lefter Alla, nga deklarata e tij e pasurisë, rezulton se ka qenë edhe një huadhënës në shuma të mëdha parash. në të paktën disa raste, Lefter Alla ka dhënë hua të shumave që shkojnë deri në 70 mijë dollar. Në shumë raste, rezulton se huamarrëse ka qenë bashkëshortja e tij, Etleva Alla.