'Një 'Panoramë' e gjërave të shkuara dhe të trishta… me një gëzim në mes'
Nga Alfred Lela.
Mpakja dhe gati zhdukja e gazetës është një trishtim i madh. Por, i ka jeta. Gazetat shqiptare, për arsye që lidhen me kulturën, financat, profesionalizmin, nuk u bënë dot kurrë gazeta të mëdha. Jo vetëm në kuptimin e faqve- të marrësh Boston Globe ose New York Times-in e së dielës psh, duhet një karrocë-, por edhe të madhështisë në kuptimin e prijësimit të opinionit publik. Ato kanë qenë, në shumicën e rasteve, ose peng i dëshirave, kryesisht të cekëta të lexuesit, ose të bosëve të tyre, edhe këta jo rrallë të cekët.
Gazetat shqiptare kanë patur dhe kanë dhënë pak gëzime profesionale, për lexues të stërvitur dhe profesionistë të medias si unë (ndjesë për mungesën e modestisë). Ato nuk kanë ditur të jenë as berliner (lloji NYT) dhe as tabloid (lloji Bild), por kanë operuar si një shkritje e të dyjave çka ka prodhuar një çarturi. Sigurisht, ka patur raste shkëlqimesh të shkurtra dhe modeste.
Sot, u gëzova kur pashë faqen e parë të Panoramës, e cila gjithë këto vitet e fundit ka qenë më shumë një kalendar muri me njoftime listatsh e tapish, se sa një gazetë mirëfilli.
Sot kishte një hijeshi, të paktën në ballinë, që i shkonte.
Si rrebesh shiu vere do të jetë, e di, por le të flasim për një gëzim edhe kur ai zgjat pak fare.