SYRI TV/ SPAK arreston kryebashkiakun e PS në Bulqizë, Alla abuzoi me tenderin 3 mln euro

Kryebashkiaku socialist Lefter Alla është prangosur nga SPAK së bashku me vartësit e tij dhe 3 biznesmenë, pasi abuzonin me tenderat e bashkisë Bulqizë. Bëhet fjalë për një tender me vlerë 3 milionë euro për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, i shpallur që në muajin prill të 2021, ku rezulton të jenë falsifikuar dokumentet dhe përvetësimi i fondit të tenderit. Kompania fituese e tenderit është përdorur fiktivisht si emër, ndërkohë që punimet janë kryer nga një kompani në pronësi të një të afërmi të Lefter Allës.

Nga SYRI TV

Arrestohet kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla. Kryebashkiaku socialist është prangosur nga SPAK së bashku me vartësit e tij dhe 3 biznesmenë pasi abuzonin me tenderat e kësaj bashkie, duke i përfituar vetë shumat e majme.

Nga dosja hetimore mësohet se Lefter Alla i detyronte vartësit e tij që në procedurat e tenderave të favorizonin kompanitë që kishin lidhje me të. Konkretisht bëhet fjalë për një tender me vlerë 3 milionë euro për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve në bashkinë e Bulqizës, i shpallur që në muajin prill të 2021.

Sipas hetimeve, në tender kanë marrë pjesë 5 kompani, disa prej tyre me ofertë disa herë më të ulët se sa kompania fituese, por 4 kompanitë e tjera janë skualifikuar nga gara dhe tenderi është fituar nga bashkimi i operatorëve “EGLAND & BE-IS” me ofertë sa fondi i vënë në dispozicion. 

4 kompanitë e tjera u skualifikuan për çështje dokumentacioni, që nga hetimet ka rezultuar si veprim i parregullt dhe me qëllim favorizimin e kompanive fituese.

Por skandali thellohet më tej, pasi kompanitë që fituan këtë tender ishin fiktive dhe ato u futën në garë vetëm sa për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm e më pas në terren punimet janë kryer nga kompania “2AF ALBANIA GROUP” pa asnjë lidhje me këtë projekt, por me një lidhje të rëndësishme, pasi pronari i saj rezulton Aqif Konesha, njeri i afërt i kryebashkiakut Lefter Alla.

E pasi është xhiruar i gjithë fondi, ai ka përfunduar në xhepat e zyrtarëve dhe pronarit të kompanisë së përfshirë në këtë abuzim.

E gjithë skema është faktuar nga SPAK, që ka kërkuar arrestimin e menjëhershëm të kryebashkiakut Lefter Alla, të nënkryetares së bashkisë Enkeleda Lleshi, të 7 zyrtarëve të tjerë të bashkisë, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe të 3 biznesmenëve, përkatësisht Aqif Konesha, me lidhje me kryebashkiakun Lefter Alla, Rasim Dacit dhe Kastriot Ibrahimaj që janë pronarë të kompanive që morën pjesë në tender.

Kryebashkiaku Lefter Alla nuk është një personazh i panjohur për drejtësinë por edhe për opinionin publik.

Tre vjet më parë, në media u publikua një video, ku pretendohej se kryebashkiaku socialist Lefter Alla ishte filmuar duke pirë kokainë.

Ky denoncim u hetua në atë kohë nga SPAK, por kurrë nuk u njoftua më për fatin e atyre hetimeve apo për marrjen e ndonjë mase ndaj kryebashkiakut socialist, i cili 3 vjet më pas u prangos po nga SPAK, por këtë herë për abuzime me taksat e qytetarëve.

ZYRTARËT E ARRESTUAR

Masa “Arrest me burg”

Lefter Alla – kryetar i Bashkisë Bulqizë

Enkeleda Lleshi – Nënkryetare e Bashkisë

Rubin Kola – Zyrtar i bashkise

Erion Isaku– Zyrtar i bashkise

Leonard Daci– Zyrtar i bashkise

Arsen Gjoka– Zyrtar i bashkise

Kujtim Zogu– Zyrtar i bashkise

Denis Xholi– Zyrtar i bashkise

Dalo Gazidedja– Zyrtar i bashkise

Aqif Konesha – Biznesmen (I afërm i Lefter Allës)

Rasim Daci – Biznesmen

Masa “Arrest në shtëpi”

Kastriot Ibrahimaj  - Biznesmen

Ana Nishku