Rama drejt ‘fundit të tmerrshëm’ dhe momenti për reflektim i Metës

Edi Rama i ka zënë rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme, duke shkuar kështu drejt një përballjeje me qytetarët në protestë, me shpresën se duke u futur në zgjedhje pa opozitën, do të mund të dalë nga qorrsokaku ku është futur. Për ta zvogëluar përgjegjësinë dhe reduktuar dëmin, Rama po përpiqet të implikojë e tërheqë edhe Metën në këtë skenar, që mund të klasifikohej si opsioni i “fundit të tmerrshëm” në përballjen me qytetarët në protestë masive, që mund të shoqërohej me trazira.

Meta deri tani është shprehur se “zgjedhjet pa opozitën do të ishin farsë” që do të thotë ndryshe se ai nuk do të futej në zgjedhje pa opozitën ose thënë akoma më shkoqur se Meta nuk do ta shoqëronte Ramën në opsionin e marrëzisë apo “fundit të tmerrshëm”. Ky opsion do ta shpëtonte Metën nga i njëjti fat me Ramën por edhe do ta zhvishte atë nga përgjegjësia për ta çuar vendin drejt trazirave. Përgjegjësia dhe roli i Metës në këtë rast, pavarësisht se çfarë ka ndodhur gjatë katër vjetëve, do të ishin të konsiderueshme.

Sjellja e Metës do të pasohej nga dy mundësi zhvillimi/dinamike. Së pari, Rama në panik e marrëzi totale, do ta shpërfillte qëndrimin e Metës dhe kështu do të shkonte i vetëm drejt “fundit të tmerrshëm” që mund të cilësohej si “zgjidhja e tij radikale”, duke rrezikuar gjithçka për shkak të frikës së tmerrshme që e mundon ditë e natë; në këtë rast përgjegjësia për futjen e vendit në trazira do të ishte vetëm e Ramës dhe vetëm e tij.

Së dyti, Rama do të tërhiqej po nga frika e humbjes së gjithçkaje në këtë përballje i vetëm kundër të gjithëve, duke shkuar kështu drejt një zgjidhjeje të “butë” që vijon me zgjedhje të lira e të ndershme; në këtë rast roli i Metës do të vlerësohej maksimalisht për shmangien e përballjes me qytetarët.

Përmbledhtas mund të thuhej se Rama do të vazhdojë të përpëlitet: i) mes “fundit të tmerrshëm” duke shkuar, i vetmuar ose së bashku me Metën, në zgjedhje pa opozitën dhe për rrjedhojë duke qenë vetëm ose së bashku me Metën përgjegjës për trazirat për shkak të përballjes së tyre me qytetarët, dhe ii) “largimit të butë” përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Nga njëra anë, Meta do të mund ti shpëtonte përgjegjësisë së futjes së vendit në trazira nëse nuk do të shoqëronte Ramën në marrëzinë e tij, përndryshe do të bëhej bashkëpërgjegjës së bashku me të. Nga ana tjetër, roli i Metës, duke vepruar në rezonancë (jo domosdoshmërisht së bashku) me opozitën, do të vlerësohej nëse kjo sjellje do të “detyronte” Ramën të (vetë) largohej për ti hapur rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Gjatë katër vjetëve Meta ja ka lënë të “lirë” litarin Ramës, duke i vënë në dispozicion jo vetëm maxhorancën e thjeshtë politike por edhe maxhorancën e cilësuar. Dhe Rama nga njëra e ka keqpërdorur këtë sjellje të Metës për të ndërtuar “shtetin” e lidhur më krimin, “shtetin” që vjedh asetet dhe fondet publike, “shtetin” që përmes kanabisit dhe narkotrafikut i vjedh votat qytetarëve, “shtetin” që varfëron dhe nënshtron qytetarët, “shtetin” që godet opozitën, kundërshtarët e madje edhe vetë Metën.

Dhe nga ana tjetër, kjo sjellje ka shërbyer në mënyrë indirekte që qytetarët të shohin me sytë e tyre, të kuptojnë dhe ndjejnë mbi kurrizin e tyre veprimet e një Rame të hasdisur nga mungesa e kontrollit që do të mund të kishte shkaktuar ndoshta një ‘kontroll” nga ana e Metës, i cili është kujdesur më shumë për interesat e tij të ngushta. Ka ardhur momenti që Meta të reflektojë thellësisht, përndryshe qytetarët do ti rezervojë të njëjtin fat si edhe Ramës… aq më tepër që perceptimi është se prej katër vjetësh ata janë në rezonancë mes tyre.

Shkruar për SYRI.net