Ancelotti: Milanin nuk e dua në çerekfinale, por në finale

Real Madrid është kthyer në macën e zezë të Liverpoolit gjatë viteve të fundit. Pas fitimit të dy finaleve të Champions League ndaj “The Reds”, spanjollët eliminuan skuadrën e Klopp me rezultatin e përgjithshëm 6-2.

Goli i Karim Benzema vendosi takimin e luajtur në “Santiago Bernabeu”. Carlo Ancelotti vlerëson ndeshjen e djemve të tij dhe shpreh një dëshirë për finalen e madhe të Champions League.

“Luajtëm mirë, zhvilluam ndeshjen që donim të luanim”. Nuk mungojnë fjalët e bukura për kundërshtarët anglezë. “Ata janë një klub zotërinjsh. Bënë homazhe për Amancion. Një veprim shumë i bukur nga ana e tyre”.

Më pas Milani, e kaluara plot suksese dhe emocione të paharrueshme si futbollist dhe trajner. “Nuk e di se cilën skuadër dua në çerekfinale, por jo Milanin. Kuqezinjtë i dua përballë në finale”, deklaroi trajneri italian.