KAFE SHQETO/ Kandidati i PD, Mëlyshi: Mirdita do ta kishte larguar Dedajn me kohë

Albert Mëlyshi, një ditë pas prezantimit të tij nga lideri i PD, Sali Berisha, si kandidat i opozitës për bashkinë e Mirditës, deklaroi në SYRI TV se kundërshtarin e tij socialist, Ndrec Dedajn, mirditorët me siguri do ta kishin larguar që në zgjedhjet vendore të vitit 2019 nëse PD-ja do të kishte hyrë në to. Megjithatë, ai shprehu besimin e plotë se tani ka ardhur momenti që ata ta japin vullnetin e tyre. 

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto”, Mëlyshi tha se “në zgjedhjet e 14 majit, qytetarët dhe mirditorët do të zgjedhin të lirë, sepse do të përpiqemi maksimalisht edhe t’i ndihmojmë që ata të zgjedhin të lirë, pavarësisht se kjo mazhorancë përgjatë gjithë këtyre viteve, është përpjekur të ndikojë në zgjedhjen e vullnetit të lirë në forma të ndryshme, me blerje votash si në Dibër apo në vende të tjera, por edhe në Mirditë, siç ka ndodhur në zgjedhje të tjera".

“Është përgjegjësi e madhe të gjesh veten te qytetarët dhe të jesh qytetari i parë i tyre, - tha Mëlyshi. - Mirdita ka vite që ka shumë probleme dhe ne po i nxjerrim në pah ato bashkë me qytetarët për të përgatitur një strategji zhvillimi, që besoj se do të duhet dhe shumë kohë që të implementohet se Mirdita ka vite e vite që nuk po qeveriset si duhet, po qeveriset keq dhe aq më tepër që plaga e madhe e shpopullimit e ka prekur Mirditën si mos më keq.

Të rinjtë janë larguar, nuk po gjejnë shpresën dhe ne po përpiqemi, më minimalja të jemi afër tyre që të ndërtojmë një program që të jetë sa më implimentueshëm dhe sa më i prekshëm nga ata që janë, si nga të rinjtë si nga emigrantët që mund të kthehen dhe të punojnë e krijojnë një aktivitet të tyrin për të jetuar këtu përfundimisht.

Edhe mbrëmë u thashë mirditorëve se nuk kam ndërmend të flas për kundërshtarin tim apo tetë vitet e qeverisë së kundërshtarit tim. Kam shumë dëshirë që të merrem vetëm me atë që ne do të bëjmë në të ardhmen dhe jo si premtime, po si zotime që e kemi të detyrueshme qoftë morale, qoftë ligjore, që përballë mirditorëve të punojmë maksimalisht për ta. Ndaj, kundërshtari im le të vazhdojë itinerarin e tij të përditshëm, të vijë nga Tirana rreth orës 11 dhe të kthehet nga ora 2 pasdite, ndërkohë që unë jam dhe do të jem këtu me mirditorët gjatë gjithë kohës në vazhdimësi.

Situata është e tillë që në 2019, mirditorët po të kishim zgjedhjet lokale që nuk hymë, kam bindjen që do ta kishin larguar Dedajn. Tani është momenti që ata të japin vullnetin e tyre përfundimisht,” theksoi kandidati demokrat për bashkinë e Mirditës./ar.sh/SYRI.NET