Zbulohen detaje për takimet e ndara të Borell me Kurtin e Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të shtunën do të takohen në Maqedoni të Veriut, në një takim për të cilin ka optimizëm që të nënshkruhet një marrëveshje.

 
Klan Kosova duke cituar burime raporton se kryediplomati evropian, Josep Borell do të takojë takime të ndara me të dy liderët nga ora 10:00, ndërkaq më vonë, do ta mbahet takimi Kuti-Vuçiq.
 
Ndërkohë, ky takim do të ketë në fokus finalizimin e Aneksit për Zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
 
Ndërkaq, në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, të dyja palët u pajtuan për propozimin evropian, i cili më pas u publikua edhe në faqen zyrtare të BE-së.
 
Kurti po këmbëngul se rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo, siç e quan ai, “Zajednica” flitet në nenin 10 të Planit Evropian, megjithatë, në nenin e shtatë të marrëveshjes, e cila tashmë është publikuar në faqen zyrtare të BE-së, përmendet një “nivel i duhur i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
 
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”– thuhet mes tjerash në nenin e shtatë.
 
Kurti, në këtë paraqitje të tij para medieve, foli për Asociacionin duke thënë se kjo çështje është “në nenin 10 në një prej 33 marrëveshjeve”.
 
Ndërkaq pika 10 e propozimit evropian thotë si vijon: “Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.