Këlliçi në Kashar: Vij me një model ndryshe. Çdo politikan që nuk mban premtimet, duhet ndëshkuar me votë

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi zhvilloi një takim me banorët e fshatit Dorbë, njësia Administrative Kashar. Rruga në gjendje të mjeruar, mungesa e ujit të pijshëm, diskriminimi dhe mosmbajtja e premtimeve ishte evidente në këtë zonë, e cila nuk është as dhjetë kilometra larg qendrës së Tiranës. Këlliçi u shpreh se "ndërkohë që për të përshkruar rrugën që të çon në Dorbë me një gjatësi rreth 3 km iu deshën 55 minuta, Erjon Veliaj gjen kohën dhe organizon takime luksoze për të folur për Tiranën digjitale dhe projekte futuriste". 

“Mund t'ju duket e çuditshme, por për të bërë 3 km rrugë, na ka shkuar 55 minuta për shkak të trafikut. Në Tiranë kishin mbaruar të gjitha problemet dhe po fokusohej në Tiranën digjitale. Dhe meqë jam në takim me ju, kam nevojë ta di, a janë zgjidhur problemet dhe hajde të diskutojmë për Tiranën digjitale. Një orë ujë në ditë keni? Ma thoni se mbase jam unë gabim, mbase nuk jetoj unë në këtë Tiranë ku jeton Veliaj. Një orë ujë në 24 orë? Rrugët si i keni? Unë e pashë, por kam nevojë të ma thoni ju. Mund ta kish zgjidhur të gjithë situatën, mund të kish sjellë një lopatë zhavorr ose pak çakull. Mund të ishte kujdesur për ujin e pijshëm në këtë zonë të paktën. Vetëm me aktivitetin që ka bërë dhe doli për të thënë vetëm gënjeshtra, mund ta kish zgjidhur,” tha Këlliçi.

Temë e bisedës me banorët ishte dhe ikja e të rinjve.

Një prej banorëve u shpreh se kishte tetë fëmijë dhe 6 prej tyre i ka në emigracion. “Kam tetë fëmijë. 4 djem i kam në Gjermani, dy vajzat e kam, një në Francë dhe një në Greqi dhe dy i kam këtu. Me një fjalë, kam nipër e mbesa plot, shkoj i shoh e ndonjëherë vijnë, por gjithsesi zemra është e plagosur. Kishim vendosur një tub uji, tani e kanë prishur atë tub, tani po na prishin dhe asfaltin dhe tani nuk po rregullohen".

"Hallet janë shumë të mëdha por dhe dhimbja është shumë e madhe”, u shpreh njëri nga banorët. 

Këlliçi nga ana e tij u shpreh se, ai "vjen me një model krejt ndryshe ndërkohë që u kujtoi banorëve se çdo politikan që nuk mban premtimet, duhet ndëshkuar me votë".

“Vij me një model krejt ndryshe. Jam një qytetar si ju, jetoj në të njëjtin qytet si ju. Sepse jetoj në këtë Tiranë në Tiranën reale, në Tiranën e vërtetë, në Tiranën tuaj. Nuk e dëgjova Erjon Veliajn të fliste as për kullat, as për inceneratorin, as për mungesën e vendeve të punës, as për faktin se po ju ikin fëmijët. Desha t’ju pyes, pjesa më e madhe prej jush i keni fëmijët këtu apo jashtë? Po pse i keni jashtë, përderisa kjo Tirana qenka kaq e bukur, paska kaq shumë vende pune, qenka Qyteti Europian i Rinisë, përse i keni nisur fëmijët jashtë? Jemi ne të gjithë gabim dhe është Erjon Veliaj në rregull, apo jemi në të gjithë në rregull dhe është Erjon Veliaj mashtrues. Kjo është shumë e thjeshtë. Po ju harrova, do më harroni, kjo është krejt normalë dhe kështu duhet të funksionojë në fakt. Ndëshkojini me votë ata që ju kanë lënë pas dore, ata që ju kanë gënjyer, ata që kanë marrë përsipër t'ju zgjidhin një hall dhe jo vetëm që nuk e kanë zgjidhur po as kanë denjuar t'ju kthejnë përgjigje, harrojini. Po pallatin që ka dhënë Veliaj atë para zyrës së vet, 7 kate pa leje aty të sheshi Skëndërbej. E ka m'u para zyrës, hap dritaren në mëngjes dhe i del pallati përballë. S'e kam parë, tha. E dini çfarë i bëri atij ndërtuesit, i dha dhe një leje tjetër ndërtimi. Ua them me zemër, unë kam nevojë për mbështetjen tuaj. Vetëm, këtë betejë nuk e fitoj dot. Kam të vërtetën me vete, kam njerëzit e thjeshtë me vete, kam opozitarët e vërtetë me vete, kam qytetarët me vete. Te ky qytet jetojmë. Do kisha shumë dëshirë që ato që thotë ai të ishin të vërteta, po nuk janë, për dreq nuk janë. Do doja shumë që Tirana të ishte kaq e mirë. Jemi një ndër dhjetë qytetet më të pista në botë që ta dini, këto nuk i them unë, i thonë raportet e huaja. E kuptoni çfarë i ka bërë Erjon Veliaj këtij qyteti”, përfundoi Këlliçi.