Kontrolli në banesën e partneres/ Ahmetaj bën ankimim: U shkel ligji

Ish-zv/kryeministri, aktualisht deputet i PS-së, Arben Ahmetaj ankimon vendimin për kontrollin e banesave të ish-gruas dhe partneres së tij.

Përmes avokatit, deputeti pretendon se është shkelur ligji pasi nuk është marrë autorizim nga Kuvendi.

Arben Ahmetaj e konsideron të paligjshëm kontrollin e banesës së bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha, në Hamallaj, duke iu drejtuar gjykatës me një ankim. Ai pretendon se me Hoxhën ka një fëmijë të mitur, ç'ka provon raportin e tyre, dhe banesa nuk mund të kontrollohej pa vënë në dijeni Kuvendin e Shqipërisë.

Ahmetaj thonë se Prokuroria e Posaçme, e cila bëri kërkesën, dhe gjykata që firmosi kontrollin e banesës, kanë qenë të përgjegjshme për shkeljen, duke shtuar se kanë patur gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të provuar se në atë banesë jetonte edhe ai vetë dhe nuk mund të bëhej kontroll pa aprovim nga Kuvendi.

Gjithashtu, Ahmetaj pretendon se kontrolli është bërë pa praninë e një avokati që të përfaqësojë Erjola Hoxhën.

Më 9 mars, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Kontrolli i parë është ushtruar në një vilë në zonën e Hamallajt, në vilën e partneres së tij, ku janë sekuestruar 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.

Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes, rezulton se nuk janë gjetur para, por janë marrë disa dokumente që vlerësohen të rëndësishme për hetimet.