Policia gjermane, bastisje dhe arrestime të trafikantëve të emigrantëve
Berlin – Policia gjermane kreu një bastisje të madhe kundër një grupi të dyshuar si kontrabandistë njerëzish herët të mërkurën, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Rreth 400 oficerë, mes tyre policia federale dhe njësitë speciale të GSG 9, kontrolluan më shumë se 20 apartamente dhe zyra, kryesisht në Berlin, por edhe në shtetin lindor të Saksonisë-Anhalt.
Pesë burra u arrestuan, katër prej tyre në Berlin dhe një në qytetin Halle, ndërsa 12 të dyshuar të tjerë ishin nën hetim, raportoi dpa.
Grupi thuhet se ka sjellë të paktën 90 persona, kryesisht nga Turqia dhe Iraku, në Gjermani, ku secili ka paguar disa mijëra euro.
Ata u transportuan nga Stambolli me avion në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë. Prej aty, ata vazhduan udhëtimin e tyre për në Gjermani me makinë përmes të ashtuquajturës rrugë ballkanike. Disa prej tyre u zbuluan në banesat që policia kontrolloi të mërkurën.
Sipas policisë, të dyshuarit kanë kryesisht nënshtetësi turke ose gjermane.