Shtyhet seanca për Fatjon Muratin, ja çfarë kërkoi nga prokuroria
Shtyhet seanca në Gjykatën e Tiranës për Fatjon Muratin dhe Kristjan Gjinin, të akuzuar për armëmbajtje pa leje.
Sot në seancë pritej të jepeshin konkluzionet e prokurorisë, ndërkohë që mungonte avokatja e Kristjan Gjinit. Bëhet me dije se avokati i Fatjon Muratit ishte i pranishëm. Seanca e radhës u planifikua të mbahet në datën 29 mars.
Mësohet se disa javë me parë, Fatjon Murati kishte kërkuar nga prokurori leje njëmujore të dilte në orën 08:00 nga shtëpia dhe të kthehej në orën 20 për arsye shëndetesore, pasi do të kryente disa ekzaminime. Kjo kërkesë e bërë prej Muratit është refuzuar.
Murati u vu ne pranga tetorin e kaluar pas zbulimit të një arsenali armesh në një apartament në zonën e Farkës, bashkë me shtetasin Kristjan Gjini.
Por pas hetimeve, Prokuroria e Tiranës zbuloi se në një prej kutive ku mbaheshin armët u gjet vetëm një gjurmë gishti e Muratajt dhe për këtë rikualifikoi veprën penale, nga ajo e mbajtjes pa leje të armeve të kryer në bashkëpunim, në armëmbajtje pa leje në banesë. Pas kësaj Gjykata e Shkallës së Parë ka zëvendësuar masën e sigurisë nga ajo e arrestit në burg në arrest shtëpiak.
Fatjon Murati dyshohet se ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, në korrik të viit të shkuar ku tre persona mbetën të vrarë, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit. Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje atentatin dhe më pas është lënë i lirë.
Në masakrën e Fushë-Krujës mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha, të cilët u qëlluan me rreth 60 plumba kallashnikovi në makinën Volkswagen Passat, me të cilën po lëviznin drejt Laçit.