Si sot, më 15 mars 1991, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA

32 vjet më parë, si sot, më 15 mars 1991, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA.

Pas një shkëputjeje 52-vjeçare prej perëndimit, Shqipëria nënshkroi në Washington Memorandumin e Mirëkuptimit, që parashihte çeljen e ambasadës shqiptare përtej Atlantikut.

Për këtë arsye, në organikën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shtoheshin 5 punonjës, një ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, dy diplomatë dhe dy punonjës teknikë (shifranti dhe shoferi), njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Shpenzimet e nevojshme prej 270 mijë dollarësh për hapjen dhe funksionimin e ambasadës dhe për pajisjen e saj me autovetura dhe me orendi të ndryshme, duheshin përballuar brenda planit të miratuar për vitin 1991. 

Ndërsa, ambasada e SHBA-së në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill të Ngarkuar me Punë “ad interim”.

Hill u pasua nga ambasadori Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë shqiptare më 21 dhjetor 1991.