Inflacioni në Argjentinë e ka kaluar shifrën 100%.
Norma e inflacionit në Argjentinë e ka kaluar 100%-shin për herë të parë që nga fundi i hiperinflacionit në fillim të viteve '90.
Inflacioni arriti në 102.5% në shkurt, tha agjencia e statistikave të vendit, që do të thotë se çmimi i shumë mallrave të konsumit është më shumë se dyfishuar që nga viti 2022.
Argjentina ka vite që është në vështirësi ekonomike dhe shumica e popullsisë tani jeton në varfëri.
Qeveria e saj po përpiqet të frenojë rritjen e çmimeve duke kufizuar çmimet e ushqimeve dhe të produkteve të tjera.
Por sektorët e ushqimit dhe pijeve panë rritjen më dramatike kohët e fundit, me çmimet që u rritën me 9.8% në shkurt krahasuar me janarin.
Mediat argjentinase thanë se kjo rritje mund të jetë pjesërisht për shkak të një rritjeje të mprehtë të çmimit të mishit, i cili u rrit me gati 20% në harkun e një muaji. Kushtet e pafavorshme të motit, një valë e zgjatur e të nxehtit dhe një thatësirë ndikuan seriozisht në bagëtinë dhe të korrat, tha gazeta lokale e lajmeve Ambito.
Megjithëse simbolika e rritjes së normës së inflacionit në 100% është e habitshme, efektet e rritjes së inflacionit janë ndjerë prej kohësh në Argjentinë.
Shtatorin e kaluar, protestuesit dolën në rrugë për të kërkuar masa për të kundërshtuar rritjen e kostove të jetesës dhe, në shkurt, banka qendrore e Argjentinës tha se një kartëmonedhë e re 2,000 peso (8,13 paund apo 9,9 dollarë) do të lëshohej në përgjigje të rritjes së çmimeve të konsumit.
Qeveria argjentinase është përpjekur prej kohësh të frenojë inflacionin, por ndasitë kanë dëmtuar politikën ekonomike të vendit.
Verën e kaluar, tri ministra të ekonomisë pasuan njëri-tjetrin në hapësirën e katër javëve ndërsa kriza ekonomike e vendit u thellua dhe presidenti Alberto Fernández thuhet se është në mosmarrëveshje me zëvendësen e tij, Cristina Fernández de Kirchner, për mënyrën se si të trajtojë problemet ekonomike të Argjentinës.
Në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi 6 miliardë dollarë të tjerë (4.9 miliardë paund) para shpëtimi.
Ishte pagesa e fundit për Argjentinën në një program 30-mujor që pritet të arrijë një total prej 44 miliardë dollarësh.