Andi Mustafaj: Me ose pa vulë, qytetarët do të votojnë kandidatët e PD të dalë nga primaret!
Andi Mustafaj, drejtues i Departamentit Brain Gain në PD, kritikon institucionet të cilat u bënë pjesë e lojës së pushtetit për çështjen e vulës së Partisë Demokratike.
Në një interviste për edicionin e orës 19.00 me Armela Ferkon në Syri Tv, Mustafaj tha se sistemi gjyqësor dështoi.
"Kemi një konflikt prej një viti në PD, konflikti u zgjidh politikisht, por vazhdon të zvarritet në gjykata. Një proces që nuk e dimë ku do të shkojë. Zoti Celibashi mu duk deri diku, të paktën mua si jurist, më ka bindur në argumentimin e tij, ka një absurditet të madh në pjesën e Alibeajt, ku në njërën anë thonë vijmë dhe përfaqësojmë PD-në me shkresën dhe autorizimin e Lulzimin Bashës por ky person nuk është më kryetar. Ky që nuk është kryetar njihet si kryetar në gjykatë. Kjo pamundëson Celibashin që të japë vendim. Alibeaj është fraksion sot në PD, kanë më shumë se një vit që nuk bëjnë asgjë, as fushatë, nuk e shohim veprimtarinë e tyre politike, veçse të krijojnë probleme, ngërçe", tha ai.
Mustafaj shtoi më tej se "me ose pa vulë, qytetarët do të votojnë kandidatët e PD të dalë nga primaret në 14 maj".
"Anëtarët e PD, kanë mundësinë të veprojnë në të gjithë Shqipërinë. Militantët kanë zgjedhur anëtarët më të mirë. Unë shoh një katërshe që do t'i quaja "katër musketierët" për shkak të rëndësisë simbolike që kanë në Shqipëri që janë Igli Cara, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi dhe Bardh Spahia që janë katër qytete simbole ku duhet të fitojmë. Qytetarët shqiptarë kanë mundësi sot të veprojë, të marrin pjesë në ekipet e kandidatëve dhe të ndërtojnë alternativën.
Na takon ne si përgjegjës politikë dhe përfaqësues të PD t'i udhëzojmë militantët në anën që duhet të shkojnë që të mos humbasin energji dhe të përqendrohen te gjërat që kanë rëndësi. Ajo që ka rëndësi sot është ndërtimi i alternativës, është prezenca në terren, krijimi i besimit që ka humbur, një besimi me qytetarët shqiptarë që në përfundim me vulë apo pa vulë ata të votojnë për kandidatin e PD të dalë nga sistemi i primareve", u shpreh Mustafaj.