SYRI TV/ Qytetarët protestë për pronat në bregdet: Drejtësia e vonuar është drejtësi e harruar
3 qytetarë nga Vlora dhe Himara kanë protestuar këtë të martë përpara Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkojnë nga ky institucion kthimin e pronave dhe jo zvarritjen përmes proceseve gjyqësore të së drejtës së tyre për të trashëguar pronat e të parëve.
SYRI TV
Pronat në bregdet mbeten një shqetësim i madh për pronarët të cilët enden prej vitesh në procese gjyqësore.
I tillë është rasti i Eduard Velaj, i cili proteston çdo ditë i vetëm përpara Ministrisë së Drejtësisë, për të fituar pronat e tij në bregdetin e Vlorës, të cilat i ka trashëgimi nga të parët.
Ai ka fituar procesin gjyqësor në shkallën e parë, ndërkohë që pas vendimit të apelit, çështja e tij ka shkuar në rekurs.
Por, edhe pse afati për shqyrtimin e rekursit është 60 ditë, Eduard Velaj ka më shumë se 1 vit që pret.
"Më thanë që do të shkosh në shkallën e parë që të sjellësh një vendsim gjyqësor të formës së prerë. I çova dekumentet në Vlorë në vitin 2014 në shkallën e parë dhe në vitin 2015 mora një vendim që babai njihet si ish-pronar i këtyre pronave. Agjencia e Provave, Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë më kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Përse dosja ime nuk u trajtua në 2016? Dosja ime të shkojë në shkallën e parë siç ka vendosur Apeli. Drejtësi e vonuar është drejtësi e harruar".
Eduard Velaj
Këtë të martë, Eduard Velajt i janë bashkuar në protestë edhe Nuro Kulluri dhe Kastriot Hajdini, të cilët kanë të njëjtën problematikë me pronat e tyre në bregdetin e Vlorës e Himarës.
"Duhet të kthehet prona tek i zoti. Është ADN dhe Alfa e kapitalizmit".
Nuro Kulluri
"Nëse i duhet shtetit për interesa publike të na e kompensojë. Toka e bukës të na kthehet e gjitha. Unë kam 25 ha tokë buke dhe nuk kam asnjë pëllëmbë".
Kastriot Hajdini
Ata shprehen se do të vazhdojnë të protestojnë çdo ditë përpara ministrisë së drejtësisë, derisa të rimarrin pronate tyre, të cilat kanë ngecur në procese gjyqësore pa mbarim.