Dështimi më i madh tek Reali është të mos flasësh me trajnerin: I kuptoj dyshimet për mua
Në kohën kur erdhi te Real Madrid, Eden Hazard ishte një nga futbollistët më të mirë në botë. Por sot ai nuk luan fare dhe as nuk flet me trajnerin e tij Carlo Ancelotti.
Futbollisti belg nuk tregoi kurrë asgjë te Reali. Në përgatitje vinte gjithmonë me kilogramë të tepërt dhe eksperti italian Carlo Ancelotti asnjëherë nuk ka dashur të shkojë përtej kësaj.
Këtë sezon, Hazard ka bërë vetëm shtatë paraqitje për Realin, teksa ka shënuar një gol dhe ka dhuruar një asist. Shumë pak për një lojtar që kushtoi fillimisht 90 milionë paund dhe që arriti deri në 150 milionë paund përmes bonuseve të ndryshme.
Por pavarësisht gjithçkaje, belgu dëshiron të qëndrojë te Real. Duke folur për Diario AS, ai zbuloi se nuk kishte folur kurrë me Ancelottin.
"Unë do të doja të qëndroja. E kam thënë gjithmonë këtë. Shpresoj të luaj më shumë dhe të tregoj se mund ta bëj akoma. Njerëzit dyshojnë tek unë dhe kjo është normale, e kuptoj. Por për sa më përket mua, dua të qëndrojë akoma këtu. Asnjëherë nuk e dini, por një transferim nuk është në planet e mia”, tha belgu i famshëm dhe iu referua marrëdhënies së tij me italianin.
"Ka respekt mes meje dhe Ancelottit. Nuk do të them se flasim me njëri-tjetrin, sepse nuk e bëjmë. Megjithatë, do të ketë gjithmonë respekt", përfundoi Eden për Diario AS.
Hazard fiton 416,000 £ në javë te Reali dhe largimi i tij do ta çlironte Madridin nga shpenzimet e tepërta, të cilat mund të mundësonin përforcime të reja gjatë verës.