SYRI TV/ Detaje nga masakra në Tiranë, pistat kryesore të hetimit

1 viktimë dhe 6 të plagosur ka qenë bilanci i frikshëm i breshërisë së plumbave drejt biznesit që kishte shënjestër Fatjon Muratin, mikun e Endrit Dokles, në zonën e ‘Don Boskos’. Viktimë mbeti banakierja e lokalit, Mimoza Paja, ndërsa u plagosën 5 të afërm të Muratit dhe një vajzë 10-vjeçare, mbesa e viktimës. Mbi 15 gëzhoja janë gjetur në vendngjarje, ndërkohë po hetohet në 2 pista. Mjeti të cilin përdorën autorët, një BMW është gjetur i djegur në Manzë. Ndërkohë policia ofron 20 mijë euro shpërblim për informacionet që ndihmojnë për arrestimin e autoreve

SYRI TV

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen që tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së dielës, ku u derdh breshëri plumbash drejt lokalit në pronësi të Fatjon Muratit.

Mimoza Paja, e cila mbeti viktimë e kësaj ngjarjeje, kishte rreth 2 javë që kishte filluar punë në këtë lokal, ndërkohë të plagosur mbetën xhaxhai i Fatjonit, Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanul Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli dhe u dëmtua nga ciflat e xhamit edhe mbesa 10-vjeçare e viktimës.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 15 gëzhoja që u zbrazën nga 3 armë kallashnikovi. Teksa banorët e zonës shprehen të shqetësuar për sigurinë e tyre, tregojnë jetën e vështirë të 58-vjeçares dhe momentet kur mbesa e saj ka kërkuar ndihmën e banorëve.

Mëngjesin e së hënës policia ka gjetur një automjet tip BMW të shkrumbuar në Manëz, i cili dyshohet se është përdorur nga 3 autorët e dyshuar, 2 në rolin e ekzekutorit dhe një drejtues i mjetit. Brenda makinës u gjetën edhe dy armë zjarri kallashnikov, që bashkë me makinën u çuan për ekspertizë në Policinë Shkencore.

Dhjetëra kamera sigurie u sekuestruan, teksa dhjetëra persona janë marrë në pyetje për rrethanat e ngjarjes.  Autoritetet në kryeqytet kanë dyshime se krimi të jetë një hakmarrje për Muratin, i ekspozuar në lidhjet e tij me Endrit Doklen, precedentët penalë dhe aktivitetin e paligjshëm të drogës.

Nga ana tjetër, burime jozyrtare thonë se në lokal përveç xhaxhait të tij, Sahit Muratit, ndodhej dhe i vëllai Fatjon Murati, ku dyshohet se këta dy të fundit, mendohet të kenë qenë shënjestër për ekzekutim.

Janë disa pista ku po hetohet kjo ngjarje. Teksa përmes një njoftimi, policia ofron 20 mijë euro shpërblim për informacionet që do të ndihmojnë për arrestimin e autorëve.