SYRI TV/ Veliaj, tender 1 milion euro kandidatit të Alibeajt, Agron Kapllanaj
Kandidati i Enkelejd Alibeajt për zgjedhjet e 14 majit për bashkinë Mallakastër, Agron Kapllanaj, ka përfituar një tender prej 1 milion euro nga Erion Veliaj. Kompania e Kapllanajt, “Shkëlqimi 07”, por që menaxhohet nga familjarët, me ofertën më të lartë është shpallur fituese nga bashkia Tiranë për asfalt elektoral. Skualifikimi i 5 kompanive me ofertat më të ulëta, ngre dyshime se Veliaj e ka favorizuar kandidatin e Enkelejd Alibeajt, Agron Kapllanaj.
Nga SYRI TV
Erion Veliaj ka shpallur fitues të një tenderi për asfalt elektoral me vlerë 1 milion euro, kompaninë “Shkelqimi 07”, e krijuar nga kandidati i Enkelejd Alibeajt për bashkinë e Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe aktualisht e menaxhuar nga familjarët e tij të afërt.
Kompania e familjes Kapllanaj nuk ka paraqitur ofertën më të ulët. Por ajo është shpallur fituese pasi bashkia e Tiranës skualifikoi 5 operatorë ekonomikë, të cilët kanë marrë përsipër të kryejnë punën publike për një faturë financiare më të vogël. Në fund të dhjetorit 2022, bashkia e kryeqytetit shpalli një mori tenderash për asfalt elektoral.
Një prej tyre ishte procedura për “Rehabilitimin e rrugëve të bllokut kufizuar nga rrugët "5 Maji – e Dibrës - Njazi Meka - Abedin Çiçi” me fond limit 1.5 miliardë lekë të vjetra.
Së fundmi, janë shpallur rezultatet paraprake të kësaj procedure, nga ku rezulton se kanë marrë pjesë 20 operatorë ekonomikë.
Në përfundim, bashkia e drejtuar nga Veliaj ka shpallur fitues kompaninë “Shkëlqimi 07”, me ofertën ekonomike në vlerë 1.07 miliardë lekë të vjetra ose rreth 1 milionë euro.
Dokumentet zyrtarë dëshmojnë se në tender janë të paktën 5 kompani të tjera, të cilat kanë paraqitur ofertë më të ulët ekonomike.
Por ato janë skualifikuar nën argumentin se nuk plotësojnë kriteret e parashikuara në dokumentet e tenderit.
Kompania ‘Shkëlqimi 07” është aktualisht në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj, ndërkohë që vëllai i tij, Agron Kapllanaj, ka qenë për shumë vite drejtues administrativ i saj.
Agron Kapllanaj është përcaktuar nga grupimi i Enkelejd Alibeajt si kandidat i tyre përballë socialistëve për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Por, ndërkohë që grupimi Alibeaj deklarohet se do të rivalizojë socialistët, kandidatët dhe familjarët e tyre përfitojnë miliona euro nga qeveria e Edi Ramës dhe zyrtarët më të lartë pranë këtij të fundit.